Saturday, March 1, 2014

















                               Përse të dua?
                        Duke pritur “Shën Valentini”-n

Unë i dua njerzit.
Ndonjëhere i dua më shume se sa më duan, ndonjëherë më shumë se sa e meritojnë.Ani.
Të duash nuk është kurrë keq, të duash i bën mirë vetes, qetësisë, shpirtit,qenies dhe e pret ditën që do lindë, syçelë dhe buzëgaz që s’mbolle ëndrra të trazuara në natën tënde.
Disa njerëz arrin t’i dallosh edhe në mes të një turme të madhe, për mirësinë, disa për dlirësinë apo sinqeritetin, disa per fjalën, disa për humorin, disa për thjeshtësinë.Secili nga ne, mund të shfaqë dukshëm një cilësi pozitive që mund të lërë gjurmë në vëmendjen e të tjerëve.
Mandej disa i simpatizon për mënyrën si shfaqen, disa i do për vlerat dhe atë që arrijnë të transmetojnë tek ty,disa se të bëjnë të ndihesh mirë, disa i do çdo ditë ti kesh afër e në çdo çast,derisa arrin në atë tringëllimën veçante të zemrës,që e degjojmë vetëm ne, ndonse na duket si një këmbanë me ding-dong-et e saj.
Ky është bekim për njeriun!
Te prekësh dorën e dashurisë është e ngrohtë,thua se aty prek shpirtin,syri i saj ka formën e zemrës,e kur ajo shfaqet  është si të shohësh rrjedhjen e gjakut në vena e kapilarë të tejdukshëm.
Eshte e pashmangeshme ajo,është e fortë dhe tej parashikimeve tona aq e bukur! Mund ta mbash në pëllëmbë, ta duash dhe ta ruash nën lëkurë çdo ditë,e të mos ia japësh veten mërive apo urrejtjes,lotit apo trishtimit.
Nëse e pranon pashmangshmërisht dashurinë, ke mundur që ëndrrën ta pikturosh tek vetja, e ti të jesh ëndrra,e kjo arrihet duke mos qenë skeptikë e dyshues.
Ashtu sikurse mëson duke studjuar,mëson të duash duke dashur.
Nuk të rëndon  të duash çdo çast;
Madje nuk lodhesh as ta mbash me vete dashurinë çdo ditë; Aty në një xhep, si një libër i kuq i dridhshëm që me dig-dong-et e tij, të bën të ndjesh që jeton.
Te dashurohesh është një  stinë e sigurt që të jep lumturinë,pa kërkuar në maja të pamundurën,por aty, e thjeshtë, e qeshur, në hapin tënd mjaft të sinkronizosh lëvizjet mes vallëzimit të saj e qenies tënde.
Dashuria nuk ështe lojë, por pranon lojra;
Lojra të bukura si ato me petalet e luledeles kur vajzat e djemte pyesin : “Më do”, “S’më do” derisa arrijmë tek fleta e fundit që mund të na japë buzëqeshjen ose mërzinë( e një loje dashurie)
Arsyet pse e duam një njeri janë tëresisht të dukshme dhe të bindshme për ne, ndryshe nga çasti kur ndihemi të dashuruar;Të jesh i dashuruar, nuk ka arsye.
Përpara se të pyesim, në heshtje apo me zë, partnerin, bashkëshortin apo të dashurin :”Përse më do?”, duhet t’ia bëjmë së pari pyejtjen vetes:
“Përse të dua?”
 Unë e di përgjigjen time:“Të dua… sepse të dua”

Gëzuar Dashurinë!



@ Drita LUSHI
   shkurt 2014











       
          “Ndodh rrallë të shihemi në sy të heshtur,
           Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.
          Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
          Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.”

                  KUR POEZIA I NGRE HYMN VETES.
       Mendime mbi krijimtarinë poetike të Sokrat Habilajt.


Për sa kohë poeti shkruan dhe e mban poezinë për vete, ajo është e tij; E ai, e lexon, e rilexon, i lëmon vargjet… por, kur vendos t’ia paraqesë  lexuesit, ajo s’i përket më atij.
Poeti mbahet mend si ati i poezisë, ndërsa bija e tij, tashmë lindur në vargje, ngjall adhurim tek lexuesi i cili e lexon e stërlexon, dhe e do.
Kështu poeti,mund të kthehet në një “hero” popullor edhe me vargun e tij.
 Kjo më shkon në mendje, tek lexoj poezitë e Sokrat Habilajt. Lirikat e tij, në dukje tingëllojnë të thjeshta por mjaft të këndshme, kanë  rimim e muzikalitet spontan që të bën për vete, të tërheqin, përpihen me një frymë, e ndonjëherë të lënë pa fjalë për gjetjet e veçanta që ai përdor e që s’janë të rastësishme, por rrjedhojë e një pene dhe mendje të stërvitur, e talenti të konsoliduar ndër vite.
Shprehje dhe gjetje nga më interesantet, të bëjnë ta lexosh me dëshire, e të jesh kurioz/e se cili do t’jetë figuracioni i spikatur i rradhës;
Ecën pa kuptuar  mes gjetjeve poetike të Habilajt e teksa lexon rresht pas rreshti ,diku sheh  “hënën mbi ullishte që zbret  në flokët e saj”, diku ndjen “çuçuritjen e fjalëve të ëmbla, e pastaj ndihesh pjesë e tablove poetike, kur poeti i thotë “asaj”, “Ik, kur nata të më ikë nga sytë”,apo:  “bëhesh hënë e më merr në gji”, edhe kur “tradhëtitë e mia kanë emrin tënd” apo kur tregon se:”Dikë s’e merr gjumi pa ndjerë frymën time në flokët e saj”, ose “dikush i besoi gjumin”, apo, gara me “atë” është më shumë se puthje, etj etj.
Ai luan me fjalën, me rimën, me vargun, por gjithmonë, në funksion të poezisë , përmbajtjes dhe asaj ç’ka kërkon të përçojë tek lexuesi.
Është evidente që një pjesë e madhe lexuesish gjejnë veten tek poezitë e tij,e ky është një sukses i padiskutueshëm i poetit.
Ai ka aftësinë si rrallë kush, të shndërrojë ngacminin e tij poetik në hymne  për mjaft njerëz.
Poezitë e tij s’janë të rënduara në metafora e abstraksione poetike që do të duhej  një rilexim për ti kuptuar;
Rileximi ndodh për kënaqësi,  e kjo është  gjë e bukur.
Poezitë e Habilajt  janë si stinë të një viti, ku gjen të gjitha gjendjet brenda tyre;
Një çast shkrepëtime poetike në qiellin e poetit, arrin të lindë mrekullira që i rezistojnë viteve dhe kohës.Habilaj, i shkruan dashurisë, mallit, lotit trishtimit, harrresës, pritjes, gjendje këto që i ka çdo njeri në jetën e përditëshme,por ai arrin ti përgjithsojë.
“Të kisha thënë se loti që rrjedh në faqe,
Është shpirt i vrarë që humbet për pak çaste”

-shkruan ai në poezinë :”Të kisha thënë për lotin”,titull të cilin mban dhe vëllimi i tij poetik.
Një mendje e hollë, formuar  nga ndjesi dhe perceptime njerëzore  arrin ti sintetizoje ato, duke i mbjellë në zemrat e qindra njerëzve, edhe pa qenë nevoja për trumbeta, pa zhurmë, sepse poezia e tij është aq e bukur, sa e gjen vetë lexuesin.
Meritë e autorit është, që ai  arrin të futet në skutat e ndjesive të njerëzve pa dallim moshe, apo gjinie. Kësaj, pak autorë ia  arrijnë.
Nga ana tjeter,të shkruash me rimë nuk ështe aq e thjeshtë sa duket, dhe aq lehtë sa thuhet.
Përpos rimës ne lexojmë mbi të gjitha art, sepse poezitë e tij nuk rendin të gjejnë fjalën për një gërmëzim e tingull të ngjashëm fundor, por fjala lidhet me fjalën ndjenjësisht e simbolikisht, duke pasur një pranverë poetike në lulëzim, të cilës ne duam ti marrim rrezet që lëshon.
Krysisht tema që ndeshim më shpesh,është ajo e dashurisë, në kompleksitetin më të gjerë, si koncept dhe si ndjenjë.
Por ai nuk është i parcelizuar ose linear në krijimtarinë e tij;
Keshtu psh.vargjet e Atdheut janë mjaft të spikatura në penën e Habilajt.Ato janë me patos, të përcjellin emocion e ndihesh krenar për mëmëdhesinë tënde.
Do të mbetet perlë në krijimtarinë e tij(dhe jo vetëm!)poezia për Atdheun ku ndër të tjera shkruan:
“Ma shanë atdheun buzë detit Egje.
Si m'u mbyll goja e nuk volla mallkime!?
Po për kë t'i shaja!? Ata s'kishin atdhe...
Ma shanë atdheun, në gjuhën time

Ne poezinë tjetër, po me temë Atdheun, ai shkruan :

Kujt ia latë Atdheun ju që ikët larg,
Ndërsa luteni:-Veç të vdesim atje!
Po Atdheu nuk është thjesht një shtrat,
Ku mund të prehesh, para ikjes nën dhè!

Në poezitë e Habilajt,shpesh gjejmë dy personazhe-le të themi, të cilët janë, djali dhe vajza, të simbolizuar në përemrat “unë” dhe “ajo”, ose “unë dhe “ti”, por mund të jenë nëna, fëmijët miqtë, vëllezërit etj.Gjithsesi ai arrin, që në dy tre strofa, apo diku më shume apo më pak, të na japë të plotë një tablo ku fundi është një precipitim me shumë vlerë në tërësinë e poezisë duke përcjellë emocione të mëdha te lexuesi, siç ndodh në këtë dyvargësh
“…Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,
Eja zbukurom gjithë dhimbjet e tjera…”
 …duke portretizuar kështu imazhin e femrës me mirësi dhe dashuri, si një bekim në jetën e një mashkulli.
Poeti shpesh i trajton si lojëra lirikat e tij,e shpesh gjatë leximit buzëqesh natyrshëm…
Grimca dashurie”,ai shkruan:
…..
“Ndoshta ato grimca, i kthen në grua,
Ndoshta dhe e fton, të pini bashkë çaj.
Që në sytë e saj, të më gjesh mua,
E të hakërrohesh, të më bësh me faj.”
Tek lexon në mënyre të njëpasnjëshme poezitë e Habilajt, kupton që ai,shkruan me zemër në dorë, me shumë ndjenjë, e kjo ndodh thuajse në çdo poezi të tij; jo vetëm në ato të dashurisë, por edhe në ato me temë familjare e ndërnjerëzore.
Tek varri babait”, ai shkruan:
“Mbi fijet e barit, njomur me vesë,
Ndjej në çast të më djegin lotët në sy.
Hapat nis i hedh një nga një me kujdes,
Nga ndrojtja se mos të zgjoj, padashur ty”
Simbolet dhe epitetet, krahasimet, shprehjet e figurshme dhe personifikimet, janë si fill që ndërlidhin të gjitha poezitë e ti.Shpesh personazhi ështe femra, por edhe nëna e himnizuar në poezi,”miku” që s’duhet ti besosh…etj
Në poezinë :”Post mortum” kushtuar nënës se tij ai shkruan:

“S’di pse më vjen të shkallmoj rrasën në çast.
Po ti e dashur ku je? E pra fol, ku je?!
“Shëëëët...!”,- pëshpëritë ti një motiv të lashtë:
“Unë jam brenda teje edhe nën dhè”!

Ne poezitë e Sokratit, shpesh trajtohen probleme të shoqërisë së sotme shqiptare;
Natyrisht ato nuk paraqiten shabllon, por në trajten e një fabule tërheqëse e muzikale, të veshur bukur që të shtyjnë ti shohësh dhe jo vetëm.
Poeti është elegant dhe i kujdesshëm me vargun e tij edhe kur trajton probleme shqetësuese për shoqërinë, pa kaluar në mllefe që s’kanë asgjë të përbashkët me poezinë.
Ne poezinë:”Epitaf për stacionin e trenit
ai shkruan:

“E prishën këtu dhe të vetmin stacion,
Dhe sirenat i mbytën bashkë me të.
Ata që e prishën, ikin me avion,
Të tjerët s’kanë ku shkojnë, s’u duhet më”

Ndërsa në poezinë : “Ky është im bir”, shohim një rrëfim poetik të marrdhënieve at-fëmijë që të emocionon shumë, për mënyrën si i tregon në vargje, të gjitha ato detaje që në fund të fundit, përbëjnë përditshmërinë e një familje.

“Biri im është, unë me emër tjetër,
Ai që qeshë e qanë vet i dytë.
Ai që dhe në faj, shton gaz më tepër,
Më ofron veshin, unë i puth sytë.”

Apo në poezinë Per ty: ai i këndon kështu të dashurës dhe nënës së fëmijëve të tij, duke na përcjellë emocione të një jete me dashuri dhe të plotësuar:

Tridhjetë vjet pas, tre burra dhe ajo grua,
Dy dalë prej ëndrrës, një nga shpirti i saj.
Vazhdon më pëshpëritë: Të dua… të dua!
Thoni…prozaike, veç mos më bëni me faj”

Poezitë e Habilajt arrijnë të prekin me fjalë të paarritshem, atë që njerzit mendojnë e ndiejnë, që shpesh ngelen të pa thëna, ndoshta se s’mund të gjejnë fjalën apo shprehjen e duhur.
Krijimtaria e tij është mjaft e gjerë( jo vetëm në poezi). Për çdo poezi mund të shkruhej më vete,e jo për qindra poezi të përmbledhura në libër, dhe atyre që presin të bashkohen në një vëllim të ri;
Mbi të gjitha, ato  shkruhen në “faqet” e mendjes së lexuesit.
Sokrat Habilajn (duke lexuar tërë krijimtarinë e tij) mund ta quajmë poet i shpirtit të njerëzve.Nuk ka lexues që të mos gjejë pak apo shumë nga vetja, në poezitë e tij.
Shpesh,teksa  poezitë të përcjellin emocion, ndjen që s’ka vend për shumë komente apo fjalë. Gjerat e bukura më shumë i ndjen se sa mund të flasësh për to, ndoshta se s’mund të gjendet fjala e duhur për të thënë atë ç’ka ndjen pas leximit të një poezie të bukur…
E shpesh, natyrshëm veç thua: “Sa bukur! Uaaaa, sa bukur!”
Sokrat Habilaj prej kohësh  ka identitetin e vet te spikatur poetik;kjo do te thotë që nëse lexon një poezi e kupton se kujt autori i përket, për nga stili, forma, përmbajtja dhe ajo që tejçon tek ne.
E ndërsa lexoj krijimtarinë e tij poetike, me shtrirje, frymëmarrje, ndjenjë, bukuri
mendoj me vete: “Përse të mos marrim si “etalon” poetë të tillë shqiptarë, kur bëjmë  krahasime për  poetet e rinj në krijimtari?”
Dhe së fundmi, krijimtarinë e Habilajt do ta konsideroja si  një mozaik të bukur në gdhëndje, pjesën më suprizë, të të cilit s’e kemi parë dhe lexuar akoma.






Drita LUSHI
Autore

Shkurt 2014