Saturday, July 6, 2013

AH SIKUR…! -Urrejtja- Skicë-essé



















AH SIKUR…!
          
-Urrejtja-

Skicë-essé

Aq shumë jemi të dhënë pas lodrave në vegjëli, sa, nëse na i marrin ato, vëllai, motra, apo dikush tjetër, egërsohemi, bërtasim dhe qajmë. Përplasim këmbët, lakohemi në dysh, e me fjalët që sapo kemi filluar të mësojmë, të shqiptuara me vështirësi, flasim gjuhën tonë inatçore fëmijërore.
Në koshiencën tonë fillformuar, ne  marrim inat  atë që na merr diçka, por s’dimë si ta shprehim me fjalën e duhur.
Kjo është ndoshta një tis, apo disa kristale  “urrejtjeje” të bardha, të transmetuara  në trurin tonë nga ngacmues  të jashtëm, në formën e sinjaleve të alarmit, të humbjes së diçkaje që duam, duke bërë që  të reagojmë  fort kundër personit që na cënoi “pronën” tonë. Reagimi ndodh më shume me lot sesa me fjalë.

Ndoshta, kjo ështe “urrejtja” e parë e pavetëdijshme.

Fillesat e saj, tashmë fëmija i ka të “stampuara” në memorie dhe vetëdijen e tij, e kjo do të bëjë që ai ta ketë të gatëshme, për t’a rizgjuar sa herë do t’i preket apo merret diçka, qoftё dhe nga njё njeri shumё i dashur.
Kjo ndodh qё në periudhen  kur ne shkojmë në kopёsht.
Moshatarët, që na marrin lodrat, na shtyjnë, na “shkulin flokët”, i shohim jo me  dëshirë, por me një ndjenjë perçmimi apo inati që mund të jetë një formë “urrejtje”, në shkallën fillestare, pa ditur se çfarë është kjo fjalë dhe ndjenjë në të vërtetë.
Gjithashtu në shkollë, jemi të rrethuar nga nxënës apo studentë  të ndryshëm, nga mësuses, diku të butë,e  diku më të rreptë.
Këtu fillon diferencimi  i nxënësve, apo i studentëve, me ose pa meritë.
Ne, reagojmë me anë të pakënaqësisë ndaj këtyre veprimeve, ndonjëherë duke parë shtrembër mësues/en/in,pedagogun  që na hyn në hak, e i jep më shume se sa i takon atij nxënësit  tjetër, vetëm se ai, ështe i biri i filanit, që ka një post, apo i atij biznesmenit që ka shumё para.
Pakënaqesia jonë lind në dy drejtime: ndaj mësuesit të padrejtë, dhe ndaj moshatarit, që vetëm pse fati i ka dhënë ca para, apo një prind me pozitë, ai duhet të marrë një vlerësim më të madh se sa i takon.

Në shkollë, veç edukimit, mësojmë vetvetiu dhe  pakënaqësinë që është hapi i parë për të na çuar drejt një ndjenjë te re: urrejtjes.

A ështe  urrejtja  ndjenjë?
Tek ndjenjat, fusim përgjithësisht  vetëm ato pozitive; si psh. Dashurinë, gëzimin, lumturinë, humanizmin, njerëzoren, etj.

Çdo  ndjenjë, lind në koshiencën tonë, pa na pyetur se kur dhe si.

Janё një sërë faktorësh të jashtëm, të cilët, me apo pa qëllim, ushtrojnë ndikimin e tyre mbi ne, duke bërë të lindë urrejtja,(meqë po flas për këtë ndjenjë, por kjo ndodh, me çfarëdo ndjenjë tjetër) për një person, për një dukuri, apo ngjarje të caktuar.
Nё jetё, ështe “këmbana” e zemrës  që na transmeton “alarmet” pozitive ose negative, në trurin tonë.Pёr njё kohё, duket sikur ata flenё aty.
Pastaj ne, si qenie me logjikë, mund t’i pranojmë këto sinjale e t’i përsosim, ti modifikojmë më tej, për mirë ose për keq, ose ti lëmë  statike, të paprekura, duke i vënë barrierë, dashurisë, urrejtjes, smirës, gëzimit etj.
Pra urrejtja, është ndjenjë, ashtu sikurse dashuria, pavarësisht se ecin në kahe të kundërta dhe shtyjnë njëra-tjetrën në pole të paarritёshme.
Po marr njё shembull.

U rritëm me një televizion, me një orar të reduktuar programesh prej katër orësh.
Uleshim para tij, që kur shfaqej sigla e hapjes,e ndiqnim çdo fjalë deri në përfundim.
E ne, në fillesat ku mezi arrinim të kuptonim, e në  frymën e të vetmit kanal viziv, mundoheshim të përfytyronim se si ishte jeta “mjerane” e vendeve kapitaliste e, na dhimbëseshin ata.

Megjithëse, sa herë më duhej (megjithse fëmijë) të rrija në rradhë të gjatë per një kg. mollë, apo të  prisja  Vitin e Ri për gjërat që mund t’i ëndërroja veç në gjumë, i cili më merrte në krahët e tij, duke më qetësuar shpirtin  e lodhur nga njё dëshirë e ngatërruar me urrejtje te pa kuptimtë.

Kë urrenim vallë?
Vetëm “ata”!
Kishim “halë në sy” vendet kapitaliste-revizioniste  për “degjenerimin” e tyre, sepse kështu mësonim nga ato që shihnim, dëgjonim dhe lexonim. Konturet  e Shqipërisë, “që më mirë pranonte të hante bar” na bënin të shihnim deri tek hapi ynë.
Eshtë e vërtetë që jeta, marrëdhëniet mes njerëzve, kontaktet e punës, përshirja në rrjedhën e përditëshme normale, na krijon shpesh pakënaqësi.
Por a duhet t’i hapim rrugën me vetëdije, drejt urrejtjes?

Tashmë maturë, duke ia njohur vetes, pikat e forta e të dobëta, e kemi më të lehtë, t’i vëmë një mburojё, urrejtjes që lind për gjëra të parëndësishme, e të rëndomta, e shpesh pa shkak.

Tashmë s’jemi më ata fëmijët naivë me koshiencë të fillfomuar, por ndërgjegjia jonë është e mirëformuar.
Pra, jemi të aftë të ndajmë se cilin kah duhet të ndjekim

Kur dikush të pushton vatanin,të merr lirinë, të vret, të plaçkit, jo vetëm urrehet, por edhe luftohet.
Liria shpirtërore, ështe po aq e shenjtë sa ajo fizike.
Vetëm këto  do t’i “justifikoja”, si urrejtje të ligjëshme, mbi tё cilat, gjithnjë duhet tё veprojё drejtёsia.

Por  s’mund kuptohet dhe të justifikohet grindja dhe urrejtja mes çifteve, të cilёt mund të përfundojnë në vrasje makabre, megjithëse jetojmë në shekullin e njëzet e një!!
Kjo ndodh, sepse mungon, fjala, komunikimi pse jo dhe përgatitja, shkollimi apo gjendja ekonomike.

Eshtë edukimi, ai që vlen më shumë se gjithshka.

E ky, fillimisht merret jo vetem në shkollë por edhe në një shoqëri të hapur, me media dhe masmedia, ku shembujt janë para syve tanë.
Populli i zgjuar thotë:“Shih rrushi, rrushin dhe piqet”.
Rrushi si frut, piqet atëherë kur i vjen koha, e jo se sheh vreshtin fqinjë.
Por ne humanëve, një shembull i mirë, do të na bënte më të mire,
e një shembull i keq, do të na bënte edhe më keq, pra, dhe më të këqinj njëkohësisht.

Është e vërtetë që secili ka mendt’ e veta.
Por sado qe te qendrojme brenda sferes se mendimeve tona, perseri ajo (sfera) e humbet lemueshmerine dhe rrumbullaktesine perfekte, nga kontakti me mjedisin qe e rrethon.
Pra, sa të mirë ose të këqinjё jemi, ndikon familja, shkolla dhe shoqëria. Këto, deri në njëfarë mase.

“Peshku qelbet nga koka”- thotë përsëri mençuria popullore.
Në fakt  peshku po u prish e u qelb, prishet e qelbet i gjithi.
Por koka,… ah koka!
Njerëzit e thjeshtë, e çdo person qe jeton i rrethuar nga ky intensitet jete, shtypi, mediash, apo reklamash nuk mund të kalojë indiferent, ndaj atyre, që këto të fundit servirin para nesh.
Sot, numri i televizioneve e radiove, rritet në porpocion me vitet.
Programet që ato transmetojnë nuk janë të reduktuara, as të redaktuara, e shpesh tё pakontrolluara fare.
Detyrohem shpesh, të  ndërroj kanalin e televizionit, sepse s’dua që ime bijë  të shohë si shahen dhe pështyhen parlamentarët, si rrihen me grushte, si flasin e replijkojnë me gjuhë rruge, që sjell veç urrejtje.
Gazetat, e shtypi i shkruar në faqet e para servirin vetëm lajme sensacionale të hiperbolizuara, vetëm e vetëm që shitja t’ju sigurojë rrogën gazetarëve …partiakё.
Ky është shembulli që merr një popull i tërë, nga ata që duhet të ishin virtytet shpresëdhënës, besues e inkurajues  i njerëzve.

Urrejta si ndjenjë, të shkatërron shpirtin, të prish qetësine, gjumin, gëzimin, lumturinë.
Urrejtja të bën të harrosh virtytin mё tё lartё njerёzor: dashurinë.
Pakënaqësitё e jetёs jam munduar t’i kaloj pa lënë gjurmë, e pa mbjellë urrejtje në shpirtin tim, apo të familjarëve dhe shoqërisë sime...
Televizion dhe gazeta, shoh dhe lexoj pak.
Per t’i “shpëtuar”kësaj rrapullnaje dhe çoroditjeje ku njeriu bëhet armik me tjetrin për hiç  gjë, futem në botën e fjalës së bukur, duke anashkaluar çdo hall, pakënaqësi apo problem te jetës.
Aty, harrohem brenda botës që jetoj, e lirë, e kёnaqur, dhe pa urryer.
Do ftoja në kёtë “harresё”, të gjithe ju, që nuk e doni urrejtjen.
Sepse, pa mendoni pak?

A ia vlen të urrejmë?

A do të na ndihmonte ajo, të zgjidhnim problemet, apo pakënaqësinë?
Përkundrazi, do të na çonte në shkatërrim e degradim njerëzor, do të na kthente në njerëz të vegjël.
Personalisht, e kam mbajtur dhe do ta mbaj larg këtë  “zonjë” me të zeza, sepse unë dua njё jetё me ngjyra.
Çfarëdo  të na kenë bërë, t’ju kenё bërë, mos e ujitni urrejtjen, qëndrojini larg, që të merrni frymë lirisht.

Gjuha e urrejtjes, ështe alfabeti që mësohet me lehtë, por që mezi harrohet, madje pasohet dhe nga egoizmi dhe hakmarrja.

Prandaj mos e merrni atë abetare.
Mos i mësoni as shkronjat e para, se truri njerëzor, ështe  i aftë të mësojë shumë  lehtë, aq më shumë kur si predikues e auditorë tё saj, janë politikanët, gazeta, e televizione.
Të rrish larg auditorëve të tillë, ështe gjëja më e mirë, për veten,por dhe per fëmijët  tanë.
E dini?
Se si më duket që po shkruaj për urrejtjen.
Nuk ndihem mirë, as rehat, madje po filloj të kem pak “frikë”!

“Ah, sikur!”… të mos  ekzistonte kurrё urrejtja!





Shkurt 2013.

ARGJIROKASTRA























                                    

                                     ARGJIROKASTRA
                      Mbresa nga vizita në Gjirokasër dhe kalanë e Argjirosë
                                        -Përshkrim-
                   
              
                           

Kishin kaluar  28 vjet që nga vizita ime e parë dhe e fundit  në  atë qytet të gurtë, qytet  kalldrëmesh, në atë qytet që gjithmonë më ka dhënë  idenë  sikur ka lindur, nga sqetulla e asaj kalaje të mbarsur me histori.
Kisha shkelur atje kur isha  një vajzë-fëmijë 15- vjeçare e pafajshme, që nuk shihja aq larg, e as mendimi  nuk zhbironte nëpër skuta historish e kuriozitetesh.
E prita me gëzim ftesën e tim shoqi për ta shoqëruar në Gjirokastër, ku ai kishte punën e tij.
E dija që në fakt ishte ai, që do të më shoqeronte  mua, në “tekat”-kuriozitetet e pyetjet e mia të pafundme.
Më grishte fantazinë ai qytet  i gurtë e historik, ku e vjetra thuret me të renë, ku përbri pallateve të reja,ngrejnë krye  shtëpitë me gurë, ku përballë  rruginave  të përpjeta e tatëpjeta shtruar me kalldrëme, vijojnë  rrugët e xhadetë e gjëra.
Një qytet ndërtuar nga ana arkitektonike mbi të kundërtat, bashkëkohorja dhe antikja,  por me gjirokastritët që jetojnë, kanë jetuar dhe s’do ta braktisin qytetin e tyre të lashtë sa vetë kalaja.
Veç  shoqërise së tim shoqi, miku që na shoqëroi, paçka se fjalëpakë  nuk mund të rrinte pa iu përgjigjur pyetjeve të mia të sinqerta dhe ngulmuese.
Me makinë ngjitemi në majën më të larte të qytetit në Kërcullë!
Më besoni; pamja ishte fantastike, të dukej se e shihje Gjirokastrën nga avioni, ndieje atë  boshllkëkun e lartësisë, e aq më shumë, në  atë  rrugë  gjarpëruese e të ngushtë.
Por ndërsa ndieja boshllëkun e lartësisë, më dukej se zotëroja gjithë hapësirat, lartësistë, pamjet. Jo se vuaj nga madhështia, por vetë vendi të bënte ndiheshe madhështor në ato maja!
Lokali që ishte  në majë të Kërcullës ishte i mbyllur  atë të dielë.
Kisha dëshire të shihja, të fotografoja me sy çdo gjë, por edhe në blicin e aparatit tim, të cilin e pata  shok të ngushtë  gjatë udhëtimit  tre ditor në jug.
Që nga Kërculla,  dukej së largu Kalaja.
Po une se doja aq  larg atë kështjellë.
Dëshira ime  ishte ta prekja sa më shpejt , të isha “pushtuese” e kohëve moderne,që vija, veç  të flisja me të, që vija veç  të shiheshim e të merrnim nga njëra –tjetra ndjesi të ngrohta prilli!
Doja të ndihesha pjesë  lashtësise  së saj, e të më përfshinte natyrshëm vorbullhistoria, ta përfshija dhe unë në mendimet që filluan të udhëtonin qindra vjet pas.
Para se të ngjitesha në kala, ndaloj pak në  qafën e pazarit.
Hotel “Sopoti” ku kisha bujtur para 28 vjetësh qëndronte aty  në atë vend, mes sheshit  të  Çerçizit, dhe Qafës  së pazarit  ku kryqëzoheshin katër lagjet e vjetra “Dunavat”, “Palorto” “Varosh” dhe “Kalá”.
Meqenëse  ishte  e djelë, mendova se do të  ishim vizitorët e vetëm të asaj kalaje të madhe.
Por turistet e huaj  jo vetëm që ishin aty para nesh, por  kishin filluar të fiksonin pamjet  e kalasë, armatimin, e çdo gjë tjetër.
-Madhështore! -Kjo është fjala e parë që më vjen ndër mend e në sy, sapo ndeshem me të.
Por më besoni :Nuk është e njëjta gjë të shihet, e të fiksohet në aparat.
Prandaj syri ngelet  film  i gjallë dhe abstraktja mbetet  e paprekëshme, sado  imagjinatëzhvilluar  të jemi.
Akoma sot e kësaj dite, njerëzit i bëjne pytjen vetes dhe sho-shoqit,ashtu sikurse unë, që kam nisur të pyes në heshtje veten: si mundet vallë  të qëndrojë varur kjo kala mbi një shkëmb, si është  ndërtuar, si, e si e si?
E pyetjet janë vertet të bazuara, por edhe  të mundimshme, sepse ato s’marrin një  përgjigje konktrete por i lënë rrugë  fantazisë e hamendësimeve të gjithësecilit.
Ta shohësh së largu, duket sikur qyteti dhe kalaja kanë dalë nga mali. Nuk di si e qysh, e as kam për ta ditur kurrë  por një mendje e zgjuar, dhe një forcë e madhe mundeshin të projektonin të tillë kala, formëzime, labirinthe, frëngji, porta  të gjëra dhe të ngushta;
Ajo, duket  si një zgjatim labirintik i malit.
Ndërtimi i saj  daton mjaft, mjaft - hershëm.
Por tek e sheh aq kryelartë mendon se si u ngrit, c’teknikë  ështe përdorur, sa ka zgjatur ndërtimi; Por që  ka qenë venbanim e vendmbrojtje nga luftërat  për banorët , kjo ështe e sigurtë.
Te mahnisin galeritë, katakombet, armata e topave.
Pëllumbat nuk i ndahen kalasë; I sheh në  pemë, në oborr, të ndjekin nën guitjet e tyre ,a  thua se ata janë dëshmitarët e heshtur të gjithë historisë  dhe misterit që ajo mbart,  a thua se janë  shpirtrat që dikur jane strehuar apo kanë luftuar në atë kështjellë.
Një avion i madh, i vendosur në një nga ballkonet e kështjellës më çon drejt tij, jo si pasagjere, por si vëzhguese se çfarë ka, si e qysh ka përfunduar ky avion në këtë vend.
Ai qëndron në atë kështjellë  si relike e luftës  së ftohtë, duke iu bashkëngjitur historisë  së stërlashtë  të  Argjirokalasë.
Teksa këmbët  ikin pa kuptuar, sepse sytë dhe mendimet mi kanë marrë çka shoh,ndalem përpara skenës ku mbaheshin festivalet folklorike të Shqipërisë.
Nga forma më duket se pikërisht kjo pjesë mund të jetë përdorur si amfiteatër dikur.
Ka ngelur vetem ajo skenë, vende vende e prishur, e çdo gjë e ka mbuluar bari, luledelet e aroma e prillit.
Duket sikur edhe kalaja do të lulëzojë ngaherë bashkë me to.
Kulla e sahatit  ngrihet e lartë  duke treguar orën, ditët vitet njerëzve dhe vizitorëve të kalasë duke na kujtuar se sa e shkurtër  është jeta, andaj të jetojmë, të gëzojmë  e me mirësinë  dhe kontributin tonë  të  lëmë  gjurmë sado te vogëla, tek miqtë e njerezit qe do jetojnë pas nesh, ashtu si kjo keshtjellë  u ka rezistuar shekujve dhe do vazhdojë të përballet me shumë e shumë të tjerë!
Lumi “Drinos”, më shoqëron në ikje.
Nuk ndalet e më ndjek  çdo hap a thua ka frikë, se do ti marr kështjellën e qytetit të tij.
Ai rrjedh, ndërsa makina ecën drejt  kthimit.
Ndiej se diçka kam lënë në atë kështjellë;mendime, fantazi, hapa; Jam përfshirë në ngjarje imagjinare kam folur me sy, kam lënë vështrimin  mbi ato mure e topa, mbi ato frëngji e armatime.
Por më shumë kam marrë.
Kam marrë ndjesitë që më shtynë  të hedh mbi  letër çka pashë.
Drinosi  vazhdon  të rrjedhë vetmitar derisa vë  kurorë me Vjosën e bukur .
Gjithe vështrimi  mu shkri një moment në atë”martesë” lumenjsh, duke më kujtuar se jeta dhe historia  do të vazhdojnë  të jenë  pjesë e njëra  tjetrës.
Argjirokastrën tashmë e kisha marrë me vehte…!



Prill 2013


“SIÇ MË THE TI”



















DRITA LUSHI

Mbi librin  - “SIÇ MË THE TI”-
   Të  Shefqet Sulminës

Pas “KITARA E DASHURISË” që më ra në dorë para pak muajsh(i cili nuk është i vetmi libër  i këtij autori),libri tjetër “SIC MË THE TI” është një surprizë e bukur për mua si  bashkëredaktore, por mbi të gjitha për lexuesin shqiptar.
Dalë nga shtypi para dy javësh ai është një prurje pranverore që të flladit me ngjyrat e vargut e larminë e tematikave.
Kur nis të lexosh poezinë e Shefqetit të duket se sheh përballë dhe “atë”, personazhin imagjinar poetik të cilin ai e krijon në varësi të poezive, dhe që,aq bukur na ndihmon për të shijuar bukurinë e tyre.
Poezitë e tij nuk janë standarte, thjesht një rimë fikse apo varg i lirë.
Unë personalisht mendoj që një poet apo krijues, duhet të “thyejë” ndonjëherë disa rregulla standarte, e mund të mos u përmbahet rimimeve fikse abab,aabb abba.
Si mund të shprehet bukur e lirshem nëse rigorozisht do numuronte rrokjet?Bota dhe fjala poetike vetiu duhet ti “ndryshojë” disa rregulla, te cilat pranohen në poezi të bukura.
Nuk jam e parimit, ose të përkrah atë, që njerëzit thonë shpesh: ”Rregullat, janë bërë per tu thyer”
 Jo!
Unë mendoj, që rregullat i bëjnë njerëzit,dhe po ata mund t’i ndryshojnë.
Veç  poezisë dhe personazhit  të krijuar poetikisht nga Sulmina, shpesh gjejmë dhe një personazh të tretë, në natyrë, i cili mund të jetë deti, pylli, hëna apo një stol në park, të cilat ai i vë në funksion të poezisë.
Ai nuk zbukuron fjalën, por thotë c’ka ndjen në vargjet e tij.
Ndoshta spontaniteti dhe thjeshtësia e shprehjes i japin formë e bukuri, poezive të Sulminës.
Ato nuk janë te lodhëshme, të mbingarkuara  metaforikisht,dhe si të tilla, nuk e fusin lexuesin nëpër lodhje e stërlexime.
Ato lexohen, kuptohen, ndjehen dhe pëlqehen në moment.
Poezitë e tij janë çaste, të shkruara në pak kohë, janë ndjenja, ngacmime, të cilat poeti nuk i lë të “ikin” por i ndërton bukur në  vargje. Çdo gjë që memorja e shpirti fotografon ai  i  stampon në poezi e aq më shume në libër, si pasuria e vetme që ngelet përjetë për një njeri të ndjeshëm.
Ai, Atdheun e sheh si një grua të bukur dhe i drejtohet:

“Fytyrën kam përpara syrit tënd,
  dhe dua ti kreh flokët.
  Mos mi mbyll sytë,
  mos, deti im!
  Ndryshe më humb shëmbëllimi,
  sa s’gjej dot veten,
  dhe rroj për të tjerë”
Sa ndjeshëm e me mall i këndon Ai Atdheut, të bën ta duash më shumë dheun ku rron.
Poezia e tij, është jeta e përditëshme, orët që jetojmë, ndijimet, ndjesitë, ndjenjat dhe çdo gjë që na shoqeron ne qeniet njerëzore.

“Gruaja, nuk shkoi në punë,
 i qe këputur një kopsë e fustanit.
 Sapo ia qepa një kopsë,
 tani po gatuan për darkë.
 Janë gjëra të përditëshme që ndodhin,
 një djalë dhe një vajzë…”

Mjaft poezi të tij, përshkohen nga një fill i hollë humori, e të vjen vetiu gazi në buzë.
Ja, kaq natyrshëm e thjeshtë vijnë poezitë e tij, por të ngelen në mendje pikërisht për këtë, e pëlqehen pikërisht, po për këtë.
Tematikat e tij janë të larmishme, e spontane.
Një tingull muzike apo një këngë ështe shtytje, që ai të shkruajë poezi aq të bukura, dhe ke dëshirë ti rilexosh për së dyti.

 “OMAR AKRAM”

“Tani  brenda meje ka heshtje dhe pak mendime,
 aq sa po të të  telefonoj ty,
 do të trembesh.
 Ndërsa dëgjoj branët e Omar Akramit,
 që ti më solle mbrëmë për pranverën,
 më duket aq e tepërt të të them se ndjehem vetem.
 E ndërsa ti pothuaj  je larg,
 unë ndiej hapat e tu dhe godas ca shkronja,
 dhe kështu kot së koti, nis një varg.
 Gota e ujit rri përgjysmë mbi tavolinë dhe letër,
 Tik-tak,ti derën shtyn befas ngadalë…
 Omar Akram…!”
Ndërsa ecën nder vargjet e lira të Sulminës, herë ndesh “Komitë”, apo “Burrë prej bore”dhe  “Ja pse”  “Hijet” “Flas-in me valët për Ty”.
Poeti nuk rri pa ironizuar dhe klasën politike, si në poezinë :”Ja pse”
“Që të flasësh me botën që të rrethon,
 duhet të hash dy mëngjese,
 dy dreka,
 dy darka.

Ja pse politikanet janë të dhjamosur
në zemër
në bark
 dhe në kokë
 ja pse njerëzit  shndërrohen
 të gjithë në politikanë
 pa pasur gjë në kokë”

Edhe në poezinë,”Kohë migjeni”, poeti aq bukur fshikullon kohën në të cilën  jetojmë;
“Ështe kohë Migjeni
 me syze e taka te larta,
 me tramë të mbushur
 dhe të shpejtë,
 ështe kohë brehti
 dhe kohë me gisht majtas dhe djathtas
 dhe një në mes…”

Anafora e përdorur në disa poezi të Sulminës u jep atyre kërshëri, dhe tërheqje të vëmendjes së lexuesit:
Psh:
“Do që ti flas detit për ty?
  Do që ti them se je e dashura e poetit?
  Do që t’i them valëve që të të duan?
  Do që në këmbet e tua ta bie bregun?

Do që të të veshë peneli i pranverës?
Do që të të marrë era e të të mbaje në duar?
Do që të bëhesh një pulëbardhë e gëzuar?
Do që të puthesh me qiellin, diellin dhe mua?

Do që të bëj për ty cfarë ti të duash?
 Do që të bëj për ty çfarë do ti që të jesh?
 Do që të jesh poezia më e bukur që shkruaj?
 Do që të më bësh mua vërtet poet?”
Ne tërësinë dhe thjeshtësinë e poezive të Sulminës, shfaqet virgjëria dhe origjinaliteti poetik, mjaft i lakmueshëm  në këtë kohe ku nuk mungojnë përsëritjet dhe rënia në monotoni e poezive të autorëve të ndryshëm. Në këtë poezi, ke ç’gjen, ç’lexon dhe mbi të gjitha merr kënaqësinë e leximit të diçkaje të bukur që të ngelet në kujtesë.


Drita Lushi
Qershor 2013
Shqipëri.



NJERIU QË SHKRUAN PËR TË TJERËT


















                               NJERIU QË SHKRUAN PËR TË TJERËT
                                         - Timo  Mërkurit-
                  Në ekuinoksin e Pranverës,dhe në Ditën e Poetëve


Një libër që më mbërriti në punë ditëdatën e 13 – marsit, jo vetëm që ishte një surprizë, por mu duk dhe si një urim dhe ogur i mirë për ditëverën  që po priste pas dere, e që une do i çelja portën e stinës  së  shpirtit tim  në datë 14 .
E unë, që i gëzohem si fëmijë çdo surprize, e çdo pranvere, nuk kisha si të mos bëhesha “superticioze” duke i thënë vetes: “kjo stinë do jetë e mbushur me libra”
Nuk ka gjë më të bukur se librat!
Ju mund të thoni që ka edhe më bukur se librat, mund të doni detin, lumin, malin, shëtitjet, udhëtimet.Dakord, edhe unë i dua, por jo më shumë se librin.Skepticizmit tuaj une i kaloj anës duke qeshur nën buzë dhe nuk ndeshem me të.
Pas “THOMAI  QË  MBOLLI KRIPË” që më erdhi si surprizë, në vitin 2012, “EPOKA QË  VERBON  POETËT” ishte një tjetër dhuratë e Timo Mërkurit!
Kush ështëTimo?
Nuk e njoh personalisht, por njoh  fjalën e tij, përmes librave, por edhe përmes një kartoline  poetike publike në Krishtlindjen e vitit 2012, drejtuar mua.
Hap internetin dhe kërkoj emrin e Tij.
Po të lexosh ne Blogun e Timo Mëkurit, veç  Detit  Jon  e fotos së tij është kjo shprehje, që mu ngulit në mëndje:
“Ah, ky det, ky det që nis te zemra ime”
E nuk ka si ndodh ndryshe!
Ky njeri me zemrën e pashtershme si det, i  ka marre gjithë mirësinë, valët,
qetësinë, frymëzimin dhe në muzg, apo agim, nuk e ndal valën e fjalës per poetët dhe  shkrimtarët, me përsiatjet e tij të mrekullueshme që mbartin, thjeshtësi, profesionalizëm, mirësi, dhe art  studimor.
Nuk marr përsipër te bëj përsiatje, mbi përsiatje, sepse këto i ka bërë më shumë se bukur Timoja, por thjesht desha të falënderoj dhe përgëzoj këtë njeri që si ndihet zëri, por i ndihet fjala! Ai  nxjerr në pah vlerat e kolegëve, por dhe të shume traditave e zakoneve të shqiptarëve, ngjyrat dhe tabanin popullor të poezive, që në dukje shfaqin  aq modernizëm!
Kush më mirë se ai flet per vajet,apo për isopolifoninë si  një pjesë e kulturës dhe historisë  autentike shqiptare?
Por që ta kuptosh dhe  besosh duhet të lexosh  librin “EPOKA QË VERBON POETËT”
Ky liber lexohet me ëndje, jo vetëm  nga ata për të cilët ka shkruar Timo, por nga një masë e gjerë njerëzish, sepse mbi të gjitha ke ç’mëson dhe shijon!
Pasi  lexoj faqet e para, ku ai “përshëndet”  me fjalët e tij gdhendur bukur të gjithë poetët  e shkrimtarët dhe veprat e tyre, u ndala pak tek ai letërkëmbim  i mrekullueshëm  i Timos me të madhin dhe të paharruarin Mikun Tonë të shtrenjtë Daniel  Gazullin.
Perjetova të njëjtat  emocione si herën e parë kur lexova gjithë mençurinë tokësore dhe poetike të këtyre  dy burrave :Jugorit dhe Veriorit, e aty pashe gjuhen e shkrirë  aq bukur mes dy shqiptarëve të vërtetë.
U riktheva pak çaste  prapa në qershor 2011, nga ky letërkëmbim, por libri dhe faqet e tij s’të linin të qëndroje në vend.
Pa kuptuar arrij fundin!
Ku ka një  fund më të bukur se sa ky, që thotë shrimtari Timo Mërkuri:
“Aty ku s’jam, dërgoj zemrën time”- kur s’mundet ti përgjigjet një ftese poetike nga miqte e tij.
Dhe kam bindjen se miqtë e kuptojnë fare mirë, se bashkë me zemrën, ai çon dhe fjalen e ti magjike, që zbukuron çdo gjë që prek!
Ky burrë, nuk lindi poet, as shkrimtar.Madje profesioni i shifrave, nuk ka lidhje me atë  të fjalës. Po ç’rëndësi ka kjo?
Fjala nuk do shkolle më vete. Atë e ka brenda vetes çdo njeri.
E rëndëishme ështe të dish ta shprehësh, të mos e ndrydhësh, por  të dhurosh përmes saj dashuri dhe mirësi  siç  bën Timo.
Kisha kohe që lexoja përsiatjet e tij të bukura, që nga Poezia e Fatos Arapit dhe për shumë e shumë të tjerë.
Pot mbërritja e këtij libri të ri, me dha shtysën për të shkrojtur dy fjalë për këtë njeri.
Une nuk jam kritike arti, e as nuk di  të flas me fjalë  të mëdhaja. Ketë e ka bërë kaq bukur Profesor  Fatmir Terziu me titullin  : “Leximi  identitar i Mërkurit”
Fjalët e mëdhaja une ua lë njerëzve të mëdhenj.
Une jam thjesht një grua, që do poezinë dhe artin në tërësi e si e tiile mund të flas vetëm me fjale shpirti dhe zemre!
Se fundi një pyetje i nderuar Timo: Ku e gdhend fjalën dhe ku e ngjyen penën e artit tënd?
Gëzuar ditën e poetëve !
Faleminderit!

Drita Lushi

21mars 2013

AH SIKUR…! - Zemër Nëne- Skicëesé


Afër meje qëndronte me sytë s’di se ku, një nënë me të zeza,e mpakur nga rrobat që e mbulonin, si një natë pa yje.
Por s’ishte vetëm veshja; E ndjeva që shpirti i saj qé po aq i trishtuar.
Ajo priste në heshtje, e vetme, kokëulur, vështrim përhumbur rradhën e gjatë, aty ku pensionistët marrin ato pak pará,sintezë e një jete me punë, halle e sakrifica.
Prisja dhe unë të merrja pensionin e sime mëje.
Ishte shumë zhurmë, e veshi më kapte copëza fjalësh e bisedash në atë rradhë ku të gjithë prisnin të merrnin, kush pensionin e vet, kush të prindit, apo të afërmit të tyre.
Nuk di pse, asgjë tjetër s’më mbeti në mendje veç portretit të asaj gruaje, që dukej e përhumbur në botën e saj.
I kishin vrarë djalin,” të vetmin, të dashurin, të mirin” - kështu më tha kur i vura dorën në sup dhe e pyeta”si je?”
U përpoqa ta shoh në sy pas këtyre fjalëve, por ajo mbante vështrimin  ulur, a thua se në tokë, gjente ngushëllim.
Ne atë tokë, ku gjaku i birit të saj kish rënë dhe ish’ larë, kish rënë dhe ish’ tharë, kish rënë dhe asnjë s’qe kujtuar se qé gjak, kish rënë dhe ish’ harruar nga të tjerët, por jo nga ajo!
Jo nga ajo!
As nga nënat e tjera, që tani s’i kam para syve, por e di që janë shumë.Si mund të harroet, gjaku i birit?
Eshtë e drejtë të vritesh ose të vrasësh,për një fjalë goje, për një kufi, për xhelozi e për shkaqe të tjera banale?!
Kaq gjaknxehtë, të papërmbajtshëm, të rrëmbyer, të “etur” për gjak janë shqiptarët?
Të gjitha mosmarrëveshjet  duhet të zgjidhen me plumb?
Është harruar vallë, fjala, qetësia, vetëpërmbajtja, komunikimi, zemërgjerësia, e njerëzillëku?
Nese vret një njeri, mendo sa zemra nënash, fëmijësh, bashkëshortësh, të afërmish lëndon, plagos dhe vret për së dyti!
Sa lotë dhimbjeje bien në këtë tokë ku shkel ti dhe unë, ai dhe ajo?
Është kjo nënë, lotët e trishtimi i saj, por nesër mund të jetë nëna jote, motra apo bashkëshortja jote.
E pas këtyre vrasjeve,”rrugëdalja” e vetme ku përfundojnë familjarët është një humnerë, ku shpirti humbet, thahet e tjetërsohet.
Një fenomen, që s’mbaron në këtë fjalë, por vazhdon më tej e né themi nën, ose me zë: Krim.
Po.Krim i pagjykuar dhe i padënuar.
Edhe kur dënohet,s’mund të të kthejë të dashurin që ndërron jetë.
Rruga e vetme është parandalimi!
Nëse do ta shikonim e trajtonim si sëmundje, ku më lehtë është të parandalosh sesa të mjekosh, kështu duhet vepruar me krimin e vrasjet:
Të parandalohen është më lehtë se të dënohen.
Çdo  vrasje shkakton mllef e urrejtje jo tek një, por tek një sërë personash, familjarësh e grup njerëzish.
Nje jetë e marrë, njëqind zemra të copëtuara, njëmijë të trishtuara, e një shoqëri që hesht, që s’bëzan, është si t’i miratojë këto vrasje.
Nuk di, deri ku do shkonte zëri, nëse do thërrismin të gjithë njëherësh, si një kor proteste, si një iso bashkimi, si një simfoni me nota të larta ku të këndohej :NDAL!
Nëse të gjithë nga pak, do flisnim e do të edukonim fëmijën, vëllain , motrën të afërmin apo mikun me qetësi e vetëpërmbajtje ndoshta s’do kish kaq nëna shamizeza.
Këtë mund ta bëjë kushdo dhe në çdo çast,në çdo bisedë, në çdo takim miqësor.
Fjalët s’janë me pará, andaj një këshillim, një mendim pozitiv ,një veprim human, ndoshta s’do ndryshonte realitetin, por do ish’ si një gur sado i vogël, në themelet për një shoqëri të qetë e të paqtë.
Une ia them vetes këto fjalë së pari;
Thuaja dhe ti vetes!
Mjafton të jesh vetë nënë apo prind, mjafton pak vëmendje për të parë përtej hapit tonë, pak sensibilizim , për të mos ndodhur kështu…jo kështu!

***
Kridhem ndër këto mendime, që mi zgjon silueta e kësaj nëne veshje zezë, e vështrimpikëlluar.
Nëna,merr pensionin, i lë disa monedha arkëtares dhe pa ngritur vështrimin, sikur të kishte frikë të shihte rreth e qark, mori rrugën drejt daljes.
Nuk munda të duroj.
Dola me shpejtësi tek dera, i hodha dorën përsëri në supet e kërrusur dyfish nga dhimbja, i mora kokën në kraharorin tim, dhe i putha flokët.
Mu duk se trupi i saj i ngrirë, shkriu për një çast;
Mendova dhe besova se u ndie më mirë, paçka se ish’ vetëm një moment. U ndjeva dhe unë mire, nga ai lot në cep të syve të saj.
Te paktën loton…edhe kjo vlente në këtë moment.
Fola thuajse si me vete:
“Ah, sikur të kish sa më pak nëna zemërthyera!”
“Ah sikur…!”- përsërita me zë, teksa nëna e mpakur u shkëput nga unë dhe vazhdoi me vështrimin ulur, të ndjekë hapat e saj të vegjël…drejt vetmisë dhe dhimbjes.



Drita Lushi

Qershor 2013, Shqipëri.