ARGJIROKASTRA
Mbresa nga vizita në
Gjirokasër dhe kalanë e Argjirosë
-Përshkrim-
Kishin
kaluar 28 vjet që nga vizita ime e parë
dhe e fundit në atë qytet të gurtë, qytet kalldrëmesh, në atë qytet që gjithmonë më ka
dhënë idenë sikur ka lindur, nga sqetulla e asaj kalaje të
mbarsur me histori.
Kisha
shkelur atje kur isha një vajzë-fëmijë 15-
vjeçare e pafajshme, që nuk shihja aq larg, e as mendimi nuk zhbironte nëpër skuta historish e
kuriozitetesh.
E prita me gëzim
ftesën e tim shoqi për ta shoqëruar në Gjirokastër, ku ai kishte punën e tij.
E dija që në
fakt ishte ai, që do të më shoqeronte
mua, në “tekat”-kuriozitetet e pyetjet e mia të pafundme.
Më grishte
fantazinë ai qytet i gurtë e historik,
ku e vjetra thuret me të renë, ku përbri pallateve të reja,ngrejnë krye shtëpitë me gurë, ku përballë rruginave të përpjeta e tatëpjeta shtruar me kalldrëme,
vijojnë rrugët e xhadetë e gjëra.
Një qytet ndërtuar
nga ana arkitektonike mbi të kundërtat, bashkëkohorja dhe antikja, por me gjirokastritët që jetojnë, kanë jetuar
dhe s’do ta braktisin qytetin e tyre të lashtë sa vetë kalaja.
Veç shoqërise së tim shoqi, miku që na shoqëroi,
paçka se fjalëpakë nuk mund të rrinte pa
iu përgjigjur pyetjeve të mia të sinqerta dhe ngulmuese.
Me makinë
ngjitemi në majën më të larte të qytetit në Kërcullë!
Më besoni;
pamja ishte fantastike, të dukej se e shihje Gjirokastrën nga avioni, ndieje atë
boshllkëkun e lartësisë, e aq më shumë, në
atë rrugë gjarpëruese e të ngushtë.
Por ndërsa
ndieja boshllëkun e lartësisë, më dukej se zotëroja gjithë hapësirat, lartësistë,
pamjet. Jo se vuaj nga madhështia, por vetë vendi të bënte ndiheshe madhështor
në ato maja!
Lokali që
ishte në majë të Kërcullës ishte i
mbyllur atë të dielë.
Kisha dëshire
të shihja, të fotografoja me sy çdo gjë, por edhe në blicin e aparatit tim, të
cilin e pata shok të ngushtë gjatë udhëtimit tre ditor në jug.
Që nga Kërculla,
dukej së largu Kalaja.
Po une se
doja aq larg atë kështjellë.
Dëshira ime ishte ta prekja sa më shpejt , të isha
“pushtuese” e kohëve moderne,që vija, veç të flisja me të, që vija veç të shiheshim e të merrnim nga njëra –tjetra
ndjesi të ngrohta prilli!
Doja të
ndihesha pjesë lashtësise së saj, e të më përfshinte natyrshëm vorbullhistoria,
ta përfshija dhe unë në mendimet që filluan të udhëtonin qindra vjet pas.
Para se të
ngjitesha në kala, ndaloj pak në qafën e
pazarit.
Hotel “Sopoti”
ku kisha bujtur para 28 vjetësh qëndronte aty në atë vend, mes sheshit të Çerçizit, dhe Qafës së pazarit ku kryqëzoheshin katër lagjet e vjetra
“Dunavat”, “Palorto” “Varosh” dhe “Kalá”.
Meqenëse ishte e djelë, mendova se do të ishim vizitorët e vetëm të asaj kalaje të
madhe.
Por turistet
e huaj jo vetëm që ishin aty para nesh,
por kishin filluar të fiksonin pamjet e kalasë, armatimin, e çdo gjë tjetër.
-Madhështore!
-Kjo është fjala e parë që më vjen ndër mend e në sy, sapo ndeshem me të.
Por më
besoni :Nuk është e njëjta gjë të shihet, e të fiksohet në aparat.
Prandaj syri
ngelet film i gjallë dhe abstraktja mbetet e paprekëshme, sado imagjinatëzhvilluar të jemi.
Akoma sot e
kësaj dite, njerëzit i bëjne pytjen vetes dhe sho-shoqit,ashtu sikurse unë, që
kam nisur të pyes në heshtje veten: si mundet vallë të qëndrojë varur kjo kala mbi një shkëmb, si është
ndërtuar, si, e si e si?
E pyetjet
janë vertet të bazuara, por edhe të
mundimshme, sepse ato s’marrin një përgjigje
konktrete por i lënë rrugë fantazisë e
hamendësimeve të gjithësecilit.
Ta shohësh së
largu, duket sikur qyteti dhe kalaja kanë dalë nga mali. Nuk di si e qysh, e as
kam për ta ditur kurrë por një mendje e
zgjuar, dhe një forcë e madhe mundeshin të projektonin të tillë kala, formëzime,
labirinthe, frëngji, porta të gjëra dhe
të ngushta;
Ajo, duket si një zgjatim labirintik i malit.
Ndërtimi i
saj daton mjaft, mjaft - hershëm.
Por tek e
sheh aq kryelartë mendon se si u ngrit, c’teknikë ështe përdorur, sa ka zgjatur ndërtimi; Por që
ka qenë venbanim e vendmbrojtje nga luftërat
për banorët , kjo ështe e sigurtë.
Te mahnisin
galeritë, katakombet, armata e topave.
Pëllumbat
nuk i ndahen kalasë; I sheh në pemë, në
oborr, të ndjekin nën guitjet e tyre ,a thua se ata janë dëshmitarët e heshtur të
gjithë historisë dhe misterit që ajo
mbart, a thua se janë shpirtrat që dikur jane strehuar apo kanë
luftuar në atë kështjellë.
Një avion i
madh, i vendosur në një nga ballkonet e kështjellës më çon drejt tij, jo si
pasagjere, por si vëzhguese se çfarë ka, si e qysh ka përfunduar ky avion në këtë
vend.
Ai qëndron në
atë kështjellë si relike e luftës së ftohtë, duke iu bashkëngjitur historisë së stërlashtë të Argjirokalasë.
Teksa këmbët
ikin pa kuptuar, sepse sytë dhe mendimet
mi kanë marrë çka shoh,ndalem përpara skenës ku mbaheshin festivalet folklorike
të Shqipërisë.
Nga forma më
duket se pikërisht kjo pjesë mund të jetë përdorur si amfiteatër dikur.
Ka ngelur
vetem ajo skenë, vende vende e prishur, e çdo gjë e ka mbuluar bari, luledelet
e aroma e prillit.
Duket sikur
edhe kalaja do të lulëzojë ngaherë bashkë me to.
Kulla e
sahatit ngrihet e lartë duke treguar orën, ditët vitet njerëzve dhe
vizitorëve të kalasë duke na kujtuar se sa e shkurtër është jeta, andaj të jetojmë, të gëzojmë e me mirësinë dhe kontributin tonë të lëmë
gjurmë sado te vogëla, tek miqtë e
njerezit qe do jetojnë pas nesh, ashtu si kjo keshtjellë u ka rezistuar shekujve dhe do vazhdojë të
përballet me shumë e shumë të tjerë!
Lumi “Drinos”,
më shoqëron në ikje.
Nuk ndalet e
më ndjek çdo hap a thua ka frikë, se do
ti marr kështjellën e qytetit të tij.
Ai rrjedh,
ndërsa makina ecën drejt kthimit.
Ndiej se diçka
kam lënë në atë kështjellë;mendime, fantazi, hapa; Jam përfshirë në ngjarje
imagjinare kam folur me sy, kam lënë vështrimin
mbi ato mure e topa, mbi ato frëngji e armatime.
Por më shumë
kam marrë.
Kam marrë
ndjesitë që më shtynë të hedh mbi letër çka pashë.
Drinosi vazhdon
të rrjedhë vetmitar derisa vë kurorë me Vjosën e bukur .
Gjithe vështrimi
mu shkri një moment në atë”martesë”
lumenjsh, duke më kujtuar se jeta dhe historia do të vazhdojnë të jenë pjesë e njëra tjetrës.
Argjirokastrën
tashmë e kisha marrë me vehte…!
Prill 2013
No comments:
Post a Comment