Wednesday, January 8, 2014

                                   Në trup të Një Viti.
                                (ose Një Vit trupëzuar tek Ne)

                              Meditim drejt një Urimi



Po, kështu e shoh një vit!
Si një trup; me gjymtyrë, zemër, ndijime, shqisa, ashtu sikurse trupi ynë.
A nuk i masim ne vitet  tona me 12 muaj e pastaj kalojmë në një vit më të madh?
 Edhe viti  e mat “rritjen” me 12 muaj, e bëhet një më shumë, duke na dhëne 12 muajt e tij e pastaj...
Pastaj largohet.
Ne dhe viti, ndërthuremi e jetojmë në lëkurë të njëri tjetrit, marrim e japim, gëzojmë e qeshim, trishtohemi dhe qajmë, dashurojmë dhe puthim, ja aty, pranë e ngjitur sho-shoqit e s’na vjen drojë aspak që na sheh dhe e shohim.
Nëse dëshira jonë në përditëshmëri, është t’i rrëmbejmë  zemrën njeriut që dashurojmë, qëllimi ndaj një viti,nuk ështe rrëmbimi, por futja në zemër të tij.
Per këtë duhet dashuri dhe punë.Jo çdo gjë i lihet në dorë fatit.
Fati është për dembelët.Le ta marrin nëse u hyn në punë.
E pastaj aty, në atë kutizë formëbukur që quhet zemër, ndiej që e kam fituar, e kam bërë timin vitin e mund të flas me të për çdo gjë: arritjet,dashurinë( e marrë kjo në dimensionet më të gjëra)përpjekjet,ndijimet, tringëllimën e gëzimit dhe dhimbjen e zemrës, trishtimin ….e me pak fjalë ndihem e plotë në atë  dhomëz të vogël që është epiqendra e materies së një trup-viti dhe trup -njeriu.
E pastaj…
Pastaj kur vitit i vjen fundi,kur zëvendësohet nga një vit tjetër që s’dihet se ç’do të na sjellë, unë e ‘’fsheh” në pasqyrën e lugtë të kujtesës, brenda në dhomëzën që i ndërtova me punën dhe  frymën time gjatë muajve.

Një vit ikën, ashtu sikurse një njeri nga jeta jonë.
Por,a  ia vlen të rrosh me kujtime?
Në momentin që njeriu rron vetëm me kujtime për të ka filluar mosjeta.
Ne nuk dimë ç’ka në bagazhet e tij Viti I Ri, por një mysafir që të lajmëron s’mund të mos dalësh ta presësh.
Vitet janë si dashuritë.
S’mund të përzgjedhësh, të dalin papritur, pa hesape, pa llogaritje, janë krejt të verbra, e ashu dhe vitet s’mund ti zgjedhim. Vijnë për ne, e na perkasin, vijnë me të pritura dhe të papritura.
Të mendosh pozitivisht,është nderi që i bën vetes secili në rradhë të parë, e andaj nëse përqafoj atë vit që më iku, s’mund të mos lumturohem për Vitin e Ri që më troket në gardh të jetës. E jo se ështe i Ri, sepse  gjërat e mira s’kane moshë, por shpresoj që do të na sjellë ditë të bardha, zemra të dlira, e mendje të qeta.
Një vit që ikën na lë përvojën, përballjen, mësimet e ne dalim më të ditur, e më të fortë nga ai.
At’herë le t’ia çelim portën 2014-ës
Të besojmë që do jetë i mbarë, i mirë,i shëndetshëm për ne.
Te besojmë që do ketë më pak lotë në sytë e fëmijëve, më pak dhunë, më pak diskriminim ndaj gruas.
Të besojmë që do trishtohemi më pak e do qeshim më shumë, do urrejmë më
pak e do duam më shumë.
Të besojmë që do ketë më pak njerëz me duar të shtrira  në trotuare.
Të besojmë që shpirti i njerëzve do jetë më i qetë në çdo aspekt.
Të besojmë që Qeveria do bëjë më të mirën për shtetasit e vet, e politikanët do zihen më pak, të paktën për hir te fytyrës së vuajtur të popullit, që u dha kolltukun.
Të besojmë Zotin dhe Punën si pikënisje për të arritur ç’ka duam.
Të besojmë fort tek vetja!
Qofshim të bekuar!
Gëzuar!


@ Drita LUSHI
30 Dhjetor 2013
Shqipëri.



                                    NDRYSHE
                                    -Kujtesë-

Fillimet  përgjithësisht janë të bukura.
Jo vetëm fillimvitet, por edhe  martesat në fillimet e tyre, fillimi I ndërtimit të një shtëpie, fillimet e ditëve,fillimet e dashurive…
Fillimviteve jepen urime,buzëqeshje,dhurata, e ndihesh kraharor gufuar sikur mushkëritë të janë dyfishuar e thithin më shumë oksigjen, a thua se dhe aty grumbullohet lumturi.Përgjithsisht kështu ndihet njeriu nga fjalët e mira.
Si fillimvit, mund ti nisja ditët e para, pikërisht me  poezi të gëzueshme ku të tringëllinte dashuria, me vargje sysh e ndriçime hënore veshur në rroba shkëlqyese  e të kuqe si për ndërrim viti, me piktura fjalësh  të lyera në të artë dielli, në trokitje ritmike gotash, në rimime udhëtimesh, tryezash, e mbingopjesh nga tepria që (jo vetëm) Zoti u fal disave…
Por…
 Por thjesht s’mundem.
Sepse në qetësinë time, në skutat ku vetëm unë mund të hyj dhe të shoh,të meditoj, të këndoj a të flas, s’mund të mos më kujtohen ata…
Ata që këtë funvit  s’patën një shtëpi, dhe ata që jetojnë në trotuare .
 Ata që në ndërrimvit  s’mundën të ulen dot në një tryezë se s’kanë ç’të shtrojnë në të.
Ata të dehurit e mospasjes  e skamjes.
Ata që qenë të vetmuar këtë fundvit.
Ata që u ndienë të vetmuar.
Ata që në ndërrim vite u përpëlitën nga dhimbjet e sëmundjes në spitale.
E di,që shumëkush mund të thotë: “Veç fjalë.E sa punë bëjnë fjalët?”
E di që s’bëjnë punë, ose bëjnë pak, fare pak.
E pra, ta nisim me pak. Me pak kujtesë që secili të shohë  përtej hapit dhe këndvështrimit të tij.E ndoshta, pak nga unë dhe ti, pak nga ai dhe ajo,pak sot dhe pak nesër mund të jete diçka për (a)ta
Pak vëmendje s’ka kosto.
E nëse mendoni se edhe për ju s’ka kush mendon, se keni dhe ju halle e derte, mbani parasysh një shprehje që e përdorim shpesh në përditshmëri:
“ E keqja s’ka fund”.
Gjithmonë, dikush tjetër mund të jetë më keq se ne.
Pak vëmendje ndaj tyre, e do të ndihemi e do të ndihen më mirë!
Janë ditët e para.Le ta nisim startin nga ata, që vërtet kanë nevojë.
E mira pret.
Gëzuar!


@ Drita LUSHI

     Janar 2014