Showing posts with label Autore Drita Lushi (Drit-Art).. Show all posts
Showing posts with label Autore Drita Lushi (Drit-Art).. Show all posts

Wednesday, January 8, 2014

                                    NDRYSHE
                                    -Kujtesë-

Fillimet  përgjithësisht janë të bukura.
Jo vetëm fillimvitet, por edhe  martesat në fillimet e tyre, fillimi I ndërtimit të një shtëpie, fillimet e ditëve,fillimet e dashurive…
Fillimviteve jepen urime,buzëqeshje,dhurata, e ndihesh kraharor gufuar sikur mushkëritë të janë dyfishuar e thithin më shumë oksigjen, a thua se dhe aty grumbullohet lumturi.Përgjithsisht kështu ndihet njeriu nga fjalët e mira.
Si fillimvit, mund ti nisja ditët e para, pikërisht me  poezi të gëzueshme ku të tringëllinte dashuria, me vargje sysh e ndriçime hënore veshur në rroba shkëlqyese  e të kuqe si për ndërrim viti, me piktura fjalësh  të lyera në të artë dielli, në trokitje ritmike gotash, në rimime udhëtimesh, tryezash, e mbingopjesh nga tepria që (jo vetëm) Zoti u fal disave…
Por…
 Por thjesht s’mundem.
Sepse në qetësinë time, në skutat ku vetëm unë mund të hyj dhe të shoh,të meditoj, të këndoj a të flas, s’mund të mos më kujtohen ata…
Ata që këtë funvit  s’patën një shtëpi, dhe ata që jetojnë në trotuare .
 Ata që në ndërrimvit  s’mundën të ulen dot në një tryezë se s’kanë ç’të shtrojnë në të.
Ata të dehurit e mospasjes  e skamjes.
Ata që qenë të vetmuar këtë fundvit.
Ata që u ndienë të vetmuar.
Ata që në ndërrim vite u përpëlitën nga dhimbjet e sëmundjes në spitale.
E di,që shumëkush mund të thotë: “Veç fjalë.E sa punë bëjnë fjalët?”
E di që s’bëjnë punë, ose bëjnë pak, fare pak.
E pra, ta nisim me pak. Me pak kujtesë që secili të shohë  përtej hapit dhe këndvështrimit të tij.E ndoshta, pak nga unë dhe ti, pak nga ai dhe ajo,pak sot dhe pak nesër mund të jete diçka për (a)ta
Pak vëmendje s’ka kosto.
E nëse mendoni se edhe për ju s’ka kush mendon, se keni dhe ju halle e derte, mbani parasysh një shprehje që e përdorim shpesh në përditshmëri:
“ E keqja s’ka fund”.
Gjithmonë, dikush tjetër mund të jetë më keq se ne.
Pak vëmendje ndaj tyre, e do të ndihemi e do të ndihen më mirë!
Janë ditët e para.Le ta nisim startin nga ata, që vërtet kanë nevojë.
E mira pret.
Gëzuar!


@ Drita LUSHI

     Janar 2014

Monday, December 23, 2013

                        NË HESHTJE

          Urim për festën e At-Dheut tim!


Sa zhurmë!
Sa zhurmë!
Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se do më shumë.
Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se di më shumë.
Mund të duash në mënyren tënde, me heshtjen e qetësinë tënde,shtëpinë, familjen, Atdheun.
Nuk ështe e nevojshme të bërtasësh për të treguar që je.
Mund të shfaqesh bukur, edhe pa fjalë të mëdha. Ndonjëherë zërat të pengojnë të bësh atë që ndien, duke të marrë në jehonën e tyre e duke te çuar larg, atje ku s’të ndjen e sheh njeri.
E dua Atdheun sipas mënyres time.Nuk pranoj  këshilla se si  të dua Vendin që se kam braktisur për më shumë se dyzet vjet.
E dua Atdheun jo vetëm në festa, e nuk marr trumbeta të bërtas fort e t’i them :”Eejjj të dua!”, ose tu tregoj të tjerëve “Ejjj e dua At-Dhe-un”.
E dua pra në heshtje, por së pari dua shtepinë time, punën time, vendlindjen time…

Ndërsa Atdheun e konsideroj një trup, që s’e dua për formën e tij, nuk i dua sytë dhe fytyrën, këmbët apo flokët.
I dua çdo qelizë që më jep frymë e më mban hapat e mij tash’ e mot-mote që ecin mbi të, të vendosur.
Flamurin para se ta var në shtëpi, ballkon apo ambjent pune  e mbështjell në zemër.
Para se të mbështjell trupin në foto reklamusese, mbështjell me të shpirtin dhe dashurinë.
Sa zhurmë!
Sa Zhurmë!
Dashuria për At-Dhé  ka nevojë për… dashurinë tonë.
Le t’ia falim çdo ditë nga pak, jo vetëm sot.
Jo vetëm…!
Gëzuar Dheu im!


@ Drita LUSHI

27 Nëntor 2013