Monday, December 23, 2013

                 NË VEND TE URIMIT

                        Pak reflektim…




Urim?
Po,është gjëja më e lehtë, më e bukur dhe normale të urosh, ose të të urojnë “Gëzuar”.Nuk është ndonjë gjë e madhe, në fakt gjashtë  gërma të bukura janë,të kapura përdorë e që secili mund ta ngjyrosë këtë fjalë me timbrin e tij dhe…

Por…
Jetojmë kohë të trazuara.
Të trazuara kohët, i trazuar shpirti i njerëzve.
Kur them “trazim”  përfshij aty një diapazon gjëndjesh, që nga dëshirat e deri tek ëndërrimet.
Dëshira pozitive dhe negative.
Ndërsa ëndërrimet? Eh… Ato e mbajne njeriun të lidhur me jetën.
Thonë se në këtë botë ,më shumë janë njerëzit që s’të duan sesa ata që të duan. Nuk e di sa e vërtetë është.Ndoshta edhe e di, por s’dua të pranoj që në magjet e njerëzve gatuhet si bukë, edhe urrejtja e smira.
Po përse, përse vallë?
Përse qenkërka më e lehtë të ushqesh veten me negativizëm sesa me pozitivitet, me mirësi, me optimizëm?
Njeriun e mbajnë krahët dhe mendja e tij.
Kur nuk i futesh kujt në hise, kur punon me orë te zgjatura kur ndien dhe shijon djersën tënde, kur ke fytyrën tënde, duart e tua, frymën tënde që rrit frymën dhe shtatin e fëmijes tënd, përse nuk ka paqe?
Mënyra më e mirë për të vendosur paqe me veten dhe të tjerët është puna.
 “Nuk ka punë”- mund të thotë,dikush. Po, ndoshta nuk ka punë,por ka shpresë. Zoti,shpesh na vë në provë besimin, durimin, shpirtin, komunikimin, zemrën. Asgjë nuk ndodh rastësisht e pa asnjë shkak.
Janë fije të padukëshme që lidhin të rastësishmen me të logjikshmen.
Nëse nuk falim dot pará, të falim një buzëqeshje, një përshëndetje, një fjalë të mirë, nje tingull,një vështrim miqësor.
E di,e di që s’ngopet barku me të tilla. As me fjalë s’ngopet barku.
Dakord.
Po a mund të ngopet barku me dashakeqësi, me urrejtje,me smirë, me indiferentizëm, me egoizëm?
Pa mendoni, sa pak miqësorë e sa të pandjeshëm janë bërë njerëzit sot…
Sa pak vizita bëjnë tek njëri- tjetri,sa pak urime shkëmbehen për festa.
Ca mesazhe të thata e pa frymë aty në celular dhe kaq.
Fjalët e sjelljet e mira të bëjnë më të mirë, më të ndjeshëm, të bëjnë të ndihesh më afër së mirës, më afër të vërtetës, më afër Zotit;
Mbi të gjitha më afër Vetvetes.
Po pra, po. Janë gjëra që i kemi mësuar në shkollën që sot s’i mungon kurrkujt as në atë copë letër që quhet diplomë.
I kemi mësuar dhe s’i dimë.
I kemi mësuar dhe i kemi harruar.
Përfshihemi në vorbulla që s’ua dimë as kuptimin, as prejardhjen, jetojmë gati si në eter, harrojmë që thithim të njëjtin ajër e që shkelim të njëjtën tokë, e që jemi njerëz, ose duam të jemi njerëz.
Udhëhiqemi shpesh nga instiktet sesa nga mendimi, logjika dhe zemra.
Edhe unë dua te jem njeri .
Ky është objektivi që duhet të arrijmë deri në fund të jetës sonë: Pra të jemi njerëz!
Çdo të thotë?
Ja pra,do të thotë që të marrësh frymë thellë të nxjerrësh e të çosh urrejtjen e çdo ndijim negativ larg,e të degdisësh smirën.
Sot bota myslimane feston…
Ah, jo bota.
Bota është një.
Zoti është Një! Njerezit janë Një.
Festohet besimi.
Nuk i kam parë festat si ndasi fetare, por si vëllazërim.
Çdo festë është një ditë ku jo vetem duhet të qeshim, por të bejmë të ndihen mirë edhe ata, që u kanë shterruar buzëgazet,e  hallet u kanë shtuar rrudhat e mendimeve.

Sot është Festë.
Eshtë Bajrami. Dëgjohen urime, mbushen tavolinat, njerëzit qeshin, pijnë e nën efektin e një gote verë, harrojnë trazimet e shpirtit.

Nesër është ditë e zakonshme, e ndoshta në tavolina s’do të ketë verë, do te ketë më pak ushqime.
Por urimet, shpresa e besimi duhet të jenë fidanët që secili duhet të mbjellë në shpirt.

Kështu Pema e Jetës, do bëhet më e bukur.
Le të kujdesimi për të.




Drita Lushi.
15/10/2013
Shqipëri


                        NË HESHTJE

          Urim për festën e At-Dheut tim!


Sa zhurmë!
Sa zhurmë!
Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se do më shumë.
Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se di më shumë.
Mund të duash në mënyren tënde, me heshtjen e qetësinë tënde,shtëpinë, familjen, Atdheun.
Nuk ështe e nevojshme të bërtasësh për të treguar që je.
Mund të shfaqesh bukur, edhe pa fjalë të mëdha. Ndonjëherë zërat të pengojnë të bësh atë që ndien, duke të marrë në jehonën e tyre e duke te çuar larg, atje ku s’të ndjen e sheh njeri.
E dua Atdheun sipas mënyres time.Nuk pranoj  këshilla se si  të dua Vendin që se kam braktisur për më shumë se dyzet vjet.
E dua Atdheun jo vetëm në festa, e nuk marr trumbeta të bërtas fort e t’i them :”Eejjj të dua!”, ose tu tregoj të tjerëve “Ejjj e dua At-Dhe-un”.
E dua pra në heshtje, por së pari dua shtepinë time, punën time, vendlindjen time…

Ndërsa Atdheun e konsideroj një trup, që s’e dua për formën e tij, nuk i dua sytë dhe fytyrën, këmbët apo flokët.
I dua çdo qelizë që më jep frymë e më mban hapat e mij tash’ e mot-mote që ecin mbi të, të vendosur.
Flamurin para se ta var në shtëpi, ballkon apo ambjent pune  e mbështjell në zemër.
Para se të mbështjell trupin në foto reklamusese, mbështjell me të shpirtin dhe dashurinë.
Sa zhurmë!
Sa Zhurmë!
Dashuria për At-Dhé  ka nevojë për… dashurinë tonë.
Le t’ia falim çdo ditë nga pak, jo vetëm sot.
Jo vetëm…!
Gëzuar Dheu im!


@ Drita LUSHI

27 Nëntor 2013