Friday, October 25, 2013
Saturday, July 6, 2013
AH SIKUR…! -Urrejtja- Skicë-essé
AH
SIKUR…!
-Urrejtja-
Skicë-essé
Aq shumë jemi të
dhënë pas lodrave në vegjëli, sa, nëse na i marrin ato, vëllai, motra, apo
dikush tjetër, egërsohemi, bërtasim dhe qajmë. Përplasim këmbët, lakohemi në
dysh, e me fjalët që sapo kemi filluar të mësojmë, të shqiptuara me vështirësi,
flasim gjuhën tonë inatçore fëmijërore.
Në koshiencën tonë
fillformuar, ne marrim inat atë që na merr diçka, por s’dimë si ta
shprehim me fjalën e duhur.
Kjo është ndoshta një
tis, apo disa kristale “urrejtjeje” të
bardha, të transmetuara në trurin tonë
nga ngacmues të jashtëm, në formën e
sinjaleve të alarmit, të humbjes së diçkaje që duam, duke bërë që të reagojmë
fort kundër personit që na cënoi “pronën” tonë. Reagimi ndodh më shume
me lot sesa me fjalë.
Ndoshta,
kjo ështe “urrejtja” e parë e pavetëdijshme.
Fillesat e saj,
tashmë fëmija i ka të “stampuara” në memorie dhe vetëdijen e tij, e kjo do të
bëjë që ai ta ketë të gatëshme, për t’a rizgjuar sa herë do t’i preket apo
merret diçka, qoftё dhe nga njё njeri shumё i dashur.
Kjo ndodh qё në periudhen kur ne shkojmë në kopёsht.
Moshatarët, që na
marrin lodrat, na shtyjnë, na “shkulin flokët”, i shohim jo me dëshirë, por me një ndjenjë perçmimi apo
inati që mund të jetë një formë “urrejtje”, në shkallën fillestare, pa ditur se
çfarë është kjo fjalë dhe ndjenjë në të vërtetë.
Gjithashtu në
shkollë, jemi të rrethuar nga nxënës apo studentë të ndryshëm, nga mësuses, diku të butë,e diku më të rreptë.
Këtu fillon
diferencimi i nxënësve, apo i
studentëve, me ose pa meritë.
Ne, reagojmë me anë
të pakënaqësisë ndaj këtyre veprimeve, ndonjëherë duke parë shtrembër mësues/en/in,pedagogun që na hyn në hak, e i jep më shume se sa i
takon atij nxënësit tjetër, vetëm se ai,
ështe i biri i filanit, që ka një post, apo i atij biznesmenit që ka shumё para.
Pakënaqesia jonë lind
në dy drejtime: ndaj mësuesit të padrejtë, dhe ndaj moshatarit, që vetëm pse
fati i ka dhënë ca para, apo një prind me pozitë, ai duhet të marrë një
vlerësim më të madh se sa i takon.
Në shkollë, veç
edukimit, mësojmë vetvetiu dhe pakënaqësinë
që është hapi i parë për të na çuar drejt një ndjenjë te re: urrejtjes.
A ështe urrejtja
ndjenjë?
Tek ndjenjat, fusim përgjithësisht vetëm ato pozitive; si psh. Dashurinë, gëzimin, lumturinë, humanizmin, njerëzoren, etj.
Tek ndjenjat, fusim përgjithësisht vetëm ato pozitive; si psh. Dashurinë, gëzimin, lumturinë, humanizmin, njerëzoren, etj.
Çdo ndjenjë, lind në koshiencën tonë, pa na
pyetur se kur dhe si.
Janё një sërë
faktorësh të jashtëm, të cilët, me apo pa qëllim, ushtrojnë ndikimin e tyre mbi
ne, duke bërë të lindë urrejtja,(meqë po flas për këtë ndjenjë, por kjo ndodh,
me çfarëdo ndjenjë tjetër) për një person, për një dukuri, apo ngjarje të
caktuar.
Nё jetё, ështe
“këmbana” e zemrës që na transmeton
“alarmet” pozitive ose negative, në trurin tonë.Pёr njё kohё, duket sikur ata
flenё aty.
Pastaj ne, si qenie
me logjikë, mund t’i pranojmë këto sinjale e t’i përsosim, ti modifikojmë më
tej, për mirë ose për keq, ose ti lëmë
statike, të paprekura, duke i vënë barrierë, dashurisë, urrejtjes,
smirës, gëzimit etj.
Pra urrejtja, është
ndjenjë, ashtu sikurse dashuria, pavarësisht se ecin në kahe të kundërta dhe
shtyjnë njëra-tjetrën në pole të paarritёshme.
Po marr njё shembull.
U rritëm me një
televizion, me një orar të reduktuar programesh prej katër orësh.
Uleshim para tij, që
kur shfaqej sigla e hapjes,e ndiqnim çdo fjalë deri në përfundim.
E ne, në fillesat ku
mezi arrinim të kuptonim, e në frymën e
të vetmit kanal viziv, mundoheshim të përfytyronim se si ishte jeta “mjerane” e
vendeve kapitaliste e, na dhimbëseshin ata.
Megjithëse, sa herë
më duhej (megjithse fëmijë) të rrija në rradhë të gjatë per një kg. mollë, apo
të prisja Vitin e Ri për gjërat që mund t’i ëndërroja
veç në gjumë, i cili më merrte në krahët e tij, duke më qetësuar shpirtin e lodhur nga njё dëshirë e ngatërruar me
urrejtje te pa kuptimtë.
Kë urrenim vallë?
Vetëm “ata”!
Kishim “halë në sy”
vendet kapitaliste-revizioniste për
“degjenerimin” e tyre, sepse kështu mësonim nga ato që shihnim, dëgjonim dhe
lexonim. Konturet e Shqipërisë, “që më
mirë pranonte të hante bar” na bënin të shihnim deri tek hapi ynë.
Eshtë e vërtetë që jeta,
marrëdhëniet mes njerëzve, kontaktet e punës, përshirja në rrjedhën e
përditëshme normale, na krijon shpesh pakënaqësi.
Por a duhet t’i hapim
rrugën me vetëdije, drejt urrejtjes?
Tashmë
maturë, duke ia njohur vetes, pikat e forta e të dobëta, e kemi më të lehtë,
t’i vëmë një mburojё, urrejtjes që lind për gjëra të parëndësishme, e të
rëndomta, e shpesh pa shkak.
Tashmë s’jemi më ata
fëmijët naivë me koshiencë të fillfomuar, por ndërgjegjia jonë është e
mirëformuar.
Pra, jemi të aftë të
ndajmë se cilin kah duhet të ndjekim
Kur
dikush të pushton vatanin,të merr lirinë, të vret, të plaçkit, jo vetëm
urrehet, por edhe luftohet.
Liria
shpirtërore, ështe po aq e shenjtë sa ajo fizike.
Vetëm
këto do t’i “justifikoja”, si urrejtje
të ligjëshme, mbi tё cilat, gjithnjë duhet tё veprojё drejtёsia.
Por s’mund kuptohet dhe të justifikohet grindja
dhe urrejtja mes çifteve, të cilёt mund të përfundojnë në vrasje makabre,
megjithëse jetojmë në shekullin e njëzet e një!!
Kjo ndodh, sepse
mungon, fjala, komunikimi pse jo dhe përgatitja, shkollimi apo gjendja
ekonomike.
Eshtë
edukimi, ai që vlen më shumë se gjithshka.
E ky, fillimisht
merret jo vetem në shkollë por edhe në një shoqëri të hapur, me media dhe
masmedia, ku shembujt janë para syve tanë.
Populli i zgjuar
thotë:“Shih rrushi, rrushin dhe piqet”.
Rrushi si frut, piqet
atëherë kur i vjen koha, e jo se sheh vreshtin fqinjë.
Por ne humanëve, një
shembull i mirë, do të na bënte më të mire,
e një shembull i keq,
do të na bënte edhe më keq, pra, dhe më të këqinj njëkohësisht.
Është e vërtetë që
secili ka mendt’ e veta.
Por sado qe te
qendrojme brenda sferes se mendimeve tona, perseri ajo (sfera) e humbet
lemueshmerine dhe rrumbullaktesine perfekte, nga kontakti me mjedisin qe e
rrethon.
Pra, sa të mirë ose
të këqinjё jemi, ndikon familja, shkolla dhe shoqëria. Këto, deri në njëfarë
mase.
“Peshku qelbet nga
koka”- thotë përsëri mençuria popullore.
Në fakt peshku po u prish e u qelb, prishet e qelbet
i gjithi.
Por koka,… ah koka!
Njerëzit e thjeshtë,
e çdo person qe jeton i rrethuar nga ky intensitet jete, shtypi, mediash, apo
reklamash nuk mund të kalojë indiferent, ndaj atyre, që këto të fundit servirin
para nesh.
Sot, numri i
televizioneve e radiove, rritet në porpocion me vitet.
Programet që ato
transmetojnë nuk janë të reduktuara, as të redaktuara, e shpesh tё
pakontrolluara fare.
Detyrohem shpesh,
të ndërroj kanalin e televizionit, sepse
s’dua që ime bijë të shohë si shahen dhe
pështyhen parlamentarët, si rrihen me grushte, si flasin e replijkojnë me gjuhë
rruge, që sjell veç urrejtje.
Gazetat, e shtypi i
shkruar në faqet e para servirin vetëm lajme sensacionale të hiperbolizuara,
vetëm e vetëm që shitja t’ju sigurojë rrogën gazetarëve …partiakё.
Ky është shembulli që
merr një popull i tërë, nga ata që duhet të ishin virtytet shpresëdhënës,
besues e inkurajues i njerëzve.
Urrejta si ndjenjë,
të shkatërron shpirtin, të prish qetësine, gjumin, gëzimin, lumturinë.
Urrejtja të bën të
harrosh virtytin mё tё lartё njerёzor: dashurinë.
Pakënaqësitё e jetёs
jam munduar t’i kaloj pa lënë gjurmë, e pa mbjellë urrejtje në shpirtin tim,
apo të familjarëve dhe shoqërisë sime...
Televizion dhe
gazeta, shoh dhe lexoj pak.
Per t’i
“shpëtuar”kësaj rrapullnaje dhe çoroditjeje ku njeriu bëhet armik me tjetrin
për hiç gjë, futem në botën e fjalës së
bukur, duke anashkaluar çdo hall, pakënaqësi apo problem te jetës.
Aty, harrohem brenda
botës që jetoj, e lirë, e kёnaqur, dhe pa urryer.
Do ftoja në kёtë
“harresё”, të gjithe ju, që nuk e doni urrejtjen.
Sepse, pa mendoni
pak?
A ia vlen
të urrejmë?
A do të na ndihmonte
ajo, të zgjidhnim problemet, apo pakënaqësinë?
Përkundrazi, do të na
çonte në shkatërrim e degradim njerëzor, do të na kthente në njerëz të vegjël.
Personalisht, e kam
mbajtur dhe do ta mbaj larg këtë “zonjë”
me të zeza, sepse unë dua njё jetё me ngjyra.
Çfarëdo të na kenë bërë, t’ju kenё bërë, mos e ujitni
urrejtjen, qëndrojini larg, që të merrni frymë lirisht.
Gjuha e
urrejtjes, ështe alfabeti që mësohet me lehtë, por që mezi harrohet, madje
pasohet dhe nga egoizmi dhe hakmarrja.
Prandaj mos e merrni
atë abetare.
Mos i mësoni as
shkronjat e para, se truri njerëzor, ështe
i aftë të mësojë shumë lehtë, aq
më shumë kur si predikues e auditorë tё saj, janë politikanët, gazeta, e
televizione.
Të rrish larg
auditorëve të tillë, ështe gjëja më e mirë, për veten,por dhe per fëmijët tanë.
E dini?
Se si më duket që po
shkruaj për urrejtjen.
Nuk ndihem mirë, as
rehat, madje po filloj të kem pak “frikë”!
“Ah,
sikur!”… të mos ekzistonte kurrё
urrejtja!
Shkurt 2013.
ARGJIROKASTRA
ARGJIROKASTRA
Mbresa nga vizita në
Gjirokasër dhe kalanë e Argjirosë
-Përshkrim-
Kishin
kaluar 28 vjet që nga vizita ime e parë
dhe e fundit në atë qytet të gurtë, qytet kalldrëmesh, në atë qytet që gjithmonë më ka
dhënë idenë sikur ka lindur, nga sqetulla e asaj kalaje të
mbarsur me histori.
Kisha
shkelur atje kur isha një vajzë-fëmijë 15-
vjeçare e pafajshme, që nuk shihja aq larg, e as mendimi nuk zhbironte nëpër skuta historish e
kuriozitetesh.
E prita me gëzim
ftesën e tim shoqi për ta shoqëruar në Gjirokastër, ku ai kishte punën e tij.
E dija që në
fakt ishte ai, që do të më shoqeronte
mua, në “tekat”-kuriozitetet e pyetjet e mia të pafundme.
Më grishte
fantazinë ai qytet i gurtë e historik,
ku e vjetra thuret me të renë, ku përbri pallateve të reja,ngrejnë krye shtëpitë me gurë, ku përballë rruginave të përpjeta e tatëpjeta shtruar me kalldrëme,
vijojnë rrugët e xhadetë e gjëra.
Një qytet ndërtuar
nga ana arkitektonike mbi të kundërtat, bashkëkohorja dhe antikja, por me gjirokastritët që jetojnë, kanë jetuar
dhe s’do ta braktisin qytetin e tyre të lashtë sa vetë kalaja.
Veç shoqërise së tim shoqi, miku që na shoqëroi,
paçka se fjalëpakë nuk mund të rrinte pa
iu përgjigjur pyetjeve të mia të sinqerta dhe ngulmuese.
Me makinë
ngjitemi në majën më të larte të qytetit në Kërcullë!
Më besoni;
pamja ishte fantastike, të dukej se e shihje Gjirokastrën nga avioni, ndieje atë
boshllkëkun e lartësisë, e aq më shumë, në
atë rrugë gjarpëruese e të ngushtë.
Por ndërsa
ndieja boshllëkun e lartësisë, më dukej se zotëroja gjithë hapësirat, lartësistë,
pamjet. Jo se vuaj nga madhështia, por vetë vendi të bënte ndiheshe madhështor
në ato maja!
Lokali që
ishte në majë të Kërcullës ishte i
mbyllur atë të dielë.
Kisha dëshire
të shihja, të fotografoja me sy çdo gjë, por edhe në blicin e aparatit tim, të
cilin e pata shok të ngushtë gjatë udhëtimit tre ditor në jug.
Që nga Kërculla,
dukej së largu Kalaja.
Po une se
doja aq larg atë kështjellë.
Dëshira ime ishte ta prekja sa më shpejt , të isha
“pushtuese” e kohëve moderne,që vija, veç të flisja me të, që vija veç të shiheshim e të merrnim nga njëra –tjetra
ndjesi të ngrohta prilli!
Doja të
ndihesha pjesë lashtësise së saj, e të më përfshinte natyrshëm vorbullhistoria,
ta përfshija dhe unë në mendimet që filluan të udhëtonin qindra vjet pas.
Para se të
ngjitesha në kala, ndaloj pak në qafën e
pazarit.
Hotel “Sopoti”
ku kisha bujtur para 28 vjetësh qëndronte aty në atë vend, mes sheshit të Çerçizit, dhe Qafës së pazarit ku kryqëzoheshin katër lagjet e vjetra
“Dunavat”, “Palorto” “Varosh” dhe “Kalá”.
Meqenëse ishte e djelë, mendova se do të ishim vizitorët e vetëm të asaj kalaje të
madhe.
Por turistet
e huaj jo vetëm që ishin aty para nesh,
por kishin filluar të fiksonin pamjet e kalasë, armatimin, e çdo gjë tjetër.
-Madhështore!
-Kjo është fjala e parë që më vjen ndër mend e në sy, sapo ndeshem me të.
Por më
besoni :Nuk është e njëjta gjë të shihet, e të fiksohet në aparat.
Prandaj syri
ngelet film i gjallë dhe abstraktja mbetet e paprekëshme, sado imagjinatëzhvilluar të jemi.
Akoma sot e
kësaj dite, njerëzit i bëjne pytjen vetes dhe sho-shoqit,ashtu sikurse unë, që
kam nisur të pyes në heshtje veten: si mundet vallë të qëndrojë varur kjo kala mbi një shkëmb, si është
ndërtuar, si, e si e si?
E pyetjet
janë vertet të bazuara, por edhe të
mundimshme, sepse ato s’marrin një përgjigje
konktrete por i lënë rrugë fantazisë e
hamendësimeve të gjithësecilit.
Ta shohësh së
largu, duket sikur qyteti dhe kalaja kanë dalë nga mali. Nuk di si e qysh, e as
kam për ta ditur kurrë por një mendje e
zgjuar, dhe një forcë e madhe mundeshin të projektonin të tillë kala, formëzime,
labirinthe, frëngji, porta të gjëra dhe
të ngushta;
Ajo, duket si një zgjatim labirintik i malit.
Ndërtimi i
saj daton mjaft, mjaft - hershëm.
Por tek e
sheh aq kryelartë mendon se si u ngrit, c’teknikë ështe përdorur, sa ka zgjatur ndërtimi; Por që
ka qenë venbanim e vendmbrojtje nga luftërat
për banorët , kjo ështe e sigurtë.
Te mahnisin
galeritë, katakombet, armata e topave.
Pëllumbat
nuk i ndahen kalasë; I sheh në pemë, në
oborr, të ndjekin nën guitjet e tyre ,a thua se ata janë dëshmitarët e heshtur të
gjithë historisë dhe misterit që ajo
mbart, a thua se janë shpirtrat që dikur jane strehuar apo kanë
luftuar në atë kështjellë.
Një avion i
madh, i vendosur në një nga ballkonet e kështjellës më çon drejt tij, jo si
pasagjere, por si vëzhguese se çfarë ka, si e qysh ka përfunduar ky avion në këtë
vend.
Ai qëndron në
atë kështjellë si relike e luftës së ftohtë, duke iu bashkëngjitur historisë së stërlashtë të Argjirokalasë.
Teksa këmbët
ikin pa kuptuar, sepse sytë dhe mendimet
mi kanë marrë çka shoh,ndalem përpara skenës ku mbaheshin festivalet folklorike
të Shqipërisë.
Nga forma më
duket se pikërisht kjo pjesë mund të jetë përdorur si amfiteatër dikur.
Ka ngelur
vetem ajo skenë, vende vende e prishur, e çdo gjë e ka mbuluar bari, luledelet
e aroma e prillit.
Duket sikur
edhe kalaja do të lulëzojë ngaherë bashkë me to.
Kulla e
sahatit ngrihet e lartë duke treguar orën, ditët vitet njerëzve dhe
vizitorëve të kalasë duke na kujtuar se sa e shkurtër është jeta, andaj të jetojmë, të gëzojmë e me mirësinë dhe kontributin tonë të lëmë
gjurmë sado te vogëla, tek miqtë e
njerezit qe do jetojnë pas nesh, ashtu si kjo keshtjellë u ka rezistuar shekujve dhe do vazhdojë të
përballet me shumë e shumë të tjerë!
Lumi “Drinos”,
më shoqëron në ikje.
Nuk ndalet e
më ndjek çdo hap a thua ka frikë, se do
ti marr kështjellën e qytetit të tij.
Ai rrjedh,
ndërsa makina ecën drejt kthimit.
Ndiej se diçka
kam lënë në atë kështjellë;mendime, fantazi, hapa; Jam përfshirë në ngjarje
imagjinare kam folur me sy, kam lënë vështrimin
mbi ato mure e topa, mbi ato frëngji e armatime.
Por më shumë
kam marrë.
Kam marrë
ndjesitë që më shtynë të hedh mbi letër çka pashë.
Drinosi vazhdon
të rrjedhë vetmitar derisa vë kurorë me Vjosën e bukur .
Gjithe vështrimi
mu shkri një moment në atë”martesë”
lumenjsh, duke më kujtuar se jeta dhe historia do të vazhdojnë të jenë pjesë e njëra tjetrës.
Argjirokastrën
tashmë e kisha marrë me vehte…!
Prill 2013
“SIÇ MË THE TI”
DRITA LUSHI
Mbi
librin - “SIÇ MË THE TI”-
Të Shefqet
Sulminës
Pas “KITARA
E DASHURISË” që më ra në dorë para pak muajsh(i cili nuk është i vetmi libër i këtij autori),libri tjetër “SIC MË THE TI” është
një surprizë e bukur për mua si bashkëredaktore,
por mbi të gjitha për lexuesin shqiptar.
Dalë nga
shtypi para dy javësh ai është një prurje pranverore që të flladit me ngjyrat e
vargut e larminë e tematikave.
Kur nis të
lexosh poezinë e Shefqetit të duket se sheh përballë dhe “atë”, personazhin
imagjinar poetik të cilin ai e krijon në varësi të poezive, dhe që,aq bukur na
ndihmon për të shijuar bukurinë e tyre.
Poezitë e
tij nuk janë standarte, thjesht një rimë fikse apo varg i lirë.
Unë
personalisht mendoj që një poet apo krijues, duhet të “thyejë” ndonjëherë disa
rregulla standarte, e mund të mos u përmbahet rimimeve fikse abab,aabb abba.
Si mund të
shprehet bukur e lirshem nëse rigorozisht do numuronte rrokjet?Bota dhe fjala
poetike vetiu duhet ti “ndryshojë” disa rregulla, te cilat pranohen në poezi të
bukura.
Nuk jam e
parimit, ose të përkrah atë, që njerëzit thonë shpesh: ”Rregullat, janë bërë
per tu thyer”
Jo!
Unë mendoj,
që rregullat i bëjnë njerëzit,dhe po ata mund t’i ndryshojnë.
Veç poezisë dhe personazhit të krijuar poetikisht nga Sulmina, shpesh
gjejmë dhe një personazh të tretë, në natyrë, i cili mund të jetë deti, pylli,
hëna apo një stol në park, të cilat ai i vë në funksion të poezisë.
Ai nuk
zbukuron fjalën, por thotë c’ka ndjen në vargjet e tij.
Ndoshta
spontaniteti dhe thjeshtësia e shprehjes i japin formë e bukuri, poezive të
Sulminës.
Ato nuk janë
te lodhëshme, të mbingarkuara metaforikisht,dhe
si të tilla, nuk e fusin lexuesin nëpër lodhje e stërlexime.
Ato lexohen,
kuptohen, ndjehen dhe pëlqehen në moment.
Poezitë e
tij janë çaste, të shkruara në pak kohë, janë ndjenja, ngacmime, të cilat poeti
nuk i lë të “ikin” por i ndërton bukur në vargje. Çdo gjë që memorja e shpirti
fotografon ai i stampon në poezi e aq më shume në libër, si
pasuria e vetme që ngelet përjetë për një njeri të ndjeshëm.
Ai, Atdheun
e sheh si një grua të bukur dhe i drejtohet:
“Fytyrën kam
përpara syrit tënd,
dhe dua ti kreh flokët.
Mos mi mbyll sytë,
mos, deti im!
Ndryshe më humb shëmbëllimi,
sa s’gjej dot veten,
dhe rroj për të tjerë”
Sa ndjeshëm
e me mall i këndon Ai Atdheut, të bën ta duash më shumë dheun ku rron.
Poezia e tij,
është jeta e përditëshme, orët që jetojmë, ndijimet, ndjesitë, ndjenjat dhe çdo
gjë që na shoqeron ne qeniet njerëzore.
“Gruaja, nuk
shkoi në punë,
i qe këputur një kopsë e fustanit.
Sapo ia qepa një kopsë,
tani po gatuan për darkë.
Janë gjëra të përditëshme që ndodhin,
një djalë dhe një vajzë…”
Mjaft poezi
të tij, përshkohen nga një fill i hollë humori, e të vjen vetiu gazi në buzë.
Ja, kaq natyrshëm
e thjeshtë vijnë poezitë e tij, por të ngelen në mendje pikërisht për këtë, e pëlqehen
pikërisht, po për këtë.
Tematikat e
tij janë të larmishme, e spontane.
Një tingull
muzike apo një këngë ështe shtytje, që ai të shkruajë poezi aq të bukura, dhe ke
dëshirë ti rilexosh për së dyti.
“OMAR AKRAM”
“Tani brenda meje ka heshtje dhe pak mendime,
aq sa po të të
telefonoj ty,
do të trembesh.
Ndërsa dëgjoj branët e Omar Akramit,
që ti më solle mbrëmë për pranverën,
më duket aq e tepërt të të them se ndjehem
vetem.
…
E ndërsa ti pothuaj je larg,
unë ndiej hapat e tu dhe godas ca shkronja,
dhe kështu kot së koti, nis një varg.
Gota e ujit rri përgjysmë mbi tavolinë dhe letër,
Tik-tak,ti derën shtyn befas ngadalë…
Omar Akram…!”
Ndërsa ecën
nder vargjet e lira të Sulminës, herë ndesh “Komitë”, apo “Burrë prej bore”dhe “Ja pse” “Hijet” “Flas-in me valët për Ty”.
Poeti nuk
rri pa ironizuar dhe klasën politike, si në poezinë :”Ja pse”
“Që të flasësh
me botën që të rrethon,
duhet të hash dy mëngjese,
dy dreka,
dy darka.
Ja pse
politikanet janë të dhjamosur
në zemër
në bark
dhe në kokë
ja pse njerëzit shndërrohen
të gjithë në politikanë
pa pasur gjë në kokë”
Edhe në
poezinë,”Kohë migjeni”, poeti aq bukur fshikullon kohën në të cilën jetojmë;
“Ështe kohë Migjeni
me syze e taka te larta,
me tramë të mbushur
dhe të shpejtë,
ështe kohë brehti
dhe kohë me gisht majtas dhe djathtas
dhe një në mes…”
Anafora e përdorur
në disa poezi të Sulminës u jep atyre kërshëri, dhe tërheqje të vëmendjes së
lexuesit:
Psh:
“Do që ti
flas detit për ty?
Do që
ti them se je e dashura e poetit?
Do që
t’i them valëve që të të duan?
Do që në
këmbet e tua ta bie bregun?
Do që të të
veshë peneli i pranverës?
Do që të të
marrë era e të të mbaje në duar?
Do që të bëhesh
një pulëbardhë e gëzuar?
Do që të
puthesh me qiellin, diellin dhe mua?
Do që të bëj
për ty cfarë ti të duash?
Do që të bëj për ty çfarë do ti që të jesh?
Do që të jesh poezia më e bukur që shkruaj?
Do që të më bësh mua vërtet poet?”
Ne tërësinë
dhe thjeshtësinë e poezive të Sulminës, shfaqet virgjëria dhe origjinaliteti
poetik, mjaft i lakmueshëm në këtë kohe
ku nuk mungojnë përsëritjet dhe rënia në monotoni e poezive të autorëve të
ndryshëm. Në këtë poezi, ke ç’gjen, ç’lexon dhe mbi të gjitha merr kënaqësinë e
leximit të diçkaje të bukur që të ngelet në kujtesë.
Drita Lushi
Qershor 2013
Shqipëri.
NJERIU QË SHKRUAN PËR TË TJERËT
NJERIU
QË SHKRUAN PËR TË TJERËT
- Timo Mërkurit-
Në ekuinoksin e Pranverës,dhe
në Ditën e Poetëve
Një libër që më mbërriti në punë ditëdatën
e 13 – marsit, jo vetëm që ishte një surprizë, por mu duk dhe si një urim dhe
ogur i mirë për ditëverën që po priste
pas dere, e që une do i çelja portën e stinës së shpirtit
tim në datë 14 .
E unë, që i gëzohem si fëmijë çdo
surprize, e çdo pranvere, nuk kisha si të mos bëhesha “superticioze” duke i thënë
vetes: “kjo stinë do jetë e mbushur me libra”
Nuk ka gjë më të bukur se librat!
Ju mund të thoni që ka edhe më bukur
se librat, mund të doni detin, lumin, malin, shëtitjet, udhëtimet.Dakord, edhe
unë i dua, por jo më shumë se librin.Skepticizmit tuaj une i kaloj anës duke
qeshur nën buzë dhe nuk ndeshem me të.
Pas “THOMAI QË
MBOLLI KRIPË” që më erdhi si surprizë, në vitin 2012, “EPOKA QË VERBON
POETËT” ishte një tjetër dhuratë e Timo Mërkurit!
Kush ështëTimo?
Nuk e njoh personalisht, por
njoh fjalën e tij, përmes librave, por edhe
përmes një kartoline poetike publike në Krishtlindjen
e vitit 2012, drejtuar mua.
Hap internetin dhe kërkoj emrin e
Tij.
Po të lexosh ne Blogun e Timo Mëkurit,
veç Detit Jon e
fotos së tij është kjo shprehje, që mu ngulit në mëndje:
“Ah, ky det, ky det që
nis te zemra ime”
E nuk ka si ndodh ndryshe!
Ky njeri me zemrën e pashtershme si
det, i ka marre gjithë mirësinë, valët,
qetësinë, frymëzimin dhe në muzg, apo
agim, nuk e ndal valën e fjalës per poetët dhe
shkrimtarët, me përsiatjet e tij të mrekullueshme që mbartin, thjeshtësi,
profesionalizëm, mirësi, dhe art
studimor.
Nuk marr përsipër te bëj përsiatje,
mbi përsiatje, sepse këto i ka bërë më shumë se bukur Timoja, por thjesht desha
të falënderoj dhe përgëzoj këtë njeri që si ndihet zëri, por i ndihet fjala! Ai
nxjerr në pah vlerat e kolegëve, por dhe
të shume traditave e zakoneve të shqiptarëve, ngjyrat dhe tabanin popullor të poezive,
që në dukje shfaqin aq modernizëm!
Kush më mirë se ai flet per vajet,apo
për isopolifoninë si një pjesë e kulturës
dhe historisë autentike shqiptare?
Por që ta kuptosh dhe besosh duhet të lexosh librin “EPOKA QË VERBON POETËT”
Ky liber lexohet me ëndje, jo vetëm nga ata për të cilët ka shkruar Timo, por nga
një masë e gjerë njerëzish, sepse mbi të gjitha ke ç’mëson dhe shijon!
Pasi lexoj faqet e para, ku ai “përshëndet” me fjalët e tij gdhendur bukur të gjithë poetët
e shkrimtarët dhe veprat e tyre, u ndala
pak tek ai letërkëmbim i mrekullueshëm i Timos me të madhin dhe të paharruarin Mikun
Tonë të shtrenjtë Daniel Gazullin.
Perjetova të njëjtat emocione si herën e parë kur lexova gjithë mençurinë
tokësore dhe poetike të këtyre dy
burrave :Jugorit dhe Veriorit, e aty pashe gjuhen e shkrirë aq bukur mes dy shqiptarëve të vërtetë.
U riktheva pak çaste prapa në qershor 2011, nga ky letërkëmbim, por
libri dhe faqet e tij s’të linin të qëndroje në vend.
Pa kuptuar arrij fundin!
Ku ka një fund më të bukur se sa ky, që thotë shrimtari
Timo Mërkuri:
“Aty ku s’jam, dërgoj
zemrën time”- kur s’mundet ti përgjigjet një ftese
poetike nga miqte e tij.
Dhe kam bindjen se miqtë e kuptojnë
fare mirë, se bashkë me zemrën, ai çon dhe fjalen e ti magjike, që zbukuron çdo
gjë që prek!
Ky burrë, nuk lindi poet, as
shkrimtar.Madje profesioni i shifrave, nuk ka lidhje me atë të fjalës. Po ç’rëndësi ka kjo?
Fjala nuk do shkolle më vete. Atë e
ka brenda vetes çdo njeri.
E rëndëishme ështe të dish ta shprehësh,
të mos e ndrydhësh, por të dhurosh përmes
saj dashuri dhe mirësi siç bën Timo.
Kisha kohe që lexoja përsiatjet e tij
të bukura, që nga Poezia e Fatos Arapit dhe për shumë e shumë të tjerë.
Pot mbërritja e këtij libri të ri, me
dha shtysën për të shkrojtur dy fjalë për këtë njeri.
Une nuk jam kritike arti, e as nuk di
të flas me fjalë të mëdhaja. Ketë e ka bërë kaq bukur Profesor Fatmir Terziu me titullin : “Leximi identitar i Mërkurit”
Fjalët e mëdhaja une ua lë njerëzve të
mëdhenj.
Une jam thjesht një grua, që do
poezinë dhe artin në tërësi e si e tiile mund të flas vetëm me fjale shpirti
dhe zemre!
Se fundi një pyetje i nderuar Timo:
Ku e gdhend fjalën dhe ku e ngjyen penën e artit tënd?
Gëzuar ditën e poetëve !
Faleminderit!
Drita Lushi
21mars 2013
AH SIKUR…! - Zemër Nëne- Skicëesé
Afër meje
qëndronte me sytë s’di se ku, një nënë me të zeza,e mpakur nga rrobat që e
mbulonin, si një natë pa yje.
Por s’ishte
vetëm veshja; E ndjeva që shpirti i saj qé po aq i trishtuar.
Ajo priste
në heshtje, e vetme, kokëulur, vështrim përhumbur rradhën e gjatë, aty ku
pensionistët marrin ato pak pará,sintezë e një jete me punë, halle e sakrifica.
Prisja dhe
unë të merrja pensionin e sime mëje.
Ishte shumë
zhurmë, e veshi më kapte copëza fjalësh e bisedash në atë rradhë ku të gjithë
prisnin të merrnin, kush pensionin e vet, kush të prindit, apo të afërmit të
tyre.
Nuk di pse,
asgjë tjetër s’më mbeti në mendje veç portretit të asaj gruaje, që dukej e
përhumbur në botën e saj.
I kishin
vrarë djalin,” të vetmin, të dashurin, të mirin” - kështu më tha kur i vura
dorën në sup dhe e pyeta”si je?”
U përpoqa ta
shoh në sy pas këtyre fjalëve, por ajo mbante vështrimin ulur, a thua se në tokë, gjente ngushëllim.
Ne atë tokë,
ku gjaku i birit të saj kish rënë dhe ish’ larë, kish rënë dhe ish’ tharë, kish
rënë dhe asnjë s’qe kujtuar se qé gjak, kish rënë dhe ish’ harruar nga të
tjerët, por jo nga ajo!
Jo nga ajo!
As nga nënat
e tjera, që tani s’i kam para syve, por e di që janë shumë.Si mund të harroet,
gjaku i birit?
Eshtë e
drejtë të vritesh ose të vrasësh,për një fjalë goje, për një kufi, për xhelozi
e për shkaqe të tjera banale?!
Kaq
gjaknxehtë, të papërmbajtshëm, të rrëmbyer, të “etur” për gjak janë shqiptarët?
Të gjitha
mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me
plumb?
Është
harruar vallë, fjala, qetësia, vetëpërmbajtja, komunikimi, zemërgjerësia, e
njerëzillëku?
Nese vret
një njeri, mendo sa zemra nënash, fëmijësh, bashkëshortësh, të afërmish lëndon,
plagos dhe vret për së dyti!
Sa lotë
dhimbjeje bien në këtë tokë ku shkel ti dhe unë, ai dhe ajo?
Është kjo
nënë, lotët e trishtimi i saj, por nesër mund të jetë nëna jote, motra apo
bashkëshortja jote.
E pas këtyre
vrasjeve,”rrugëdalja” e vetme ku përfundojnë familjarët është një humnerë, ku
shpirti humbet, thahet e tjetërsohet.
Një fenomen,
që s’mbaron në këtë fjalë, por vazhdon më tej e né themi nën, ose me zë: Krim.
Po.Krim i
pagjykuar dhe i padënuar.
Edhe kur
dënohet,s’mund të të kthejë të dashurin që ndërron jetë.
Rruga e
vetme është parandalimi!
Nëse do ta
shikonim e trajtonim si sëmundje, ku më lehtë është të parandalosh sesa të
mjekosh, kështu duhet vepruar me krimin e vrasjet:
Të parandalohen është
më lehtë se të dënohen.
Çdo vrasje shkakton mllef e urrejtje jo tek një,
por tek një sërë personash, familjarësh e grup njerëzish.
Nje jetë e
marrë, njëqind zemra të copëtuara, njëmijë të trishtuara, e një shoqëri që
hesht, që s’bëzan, është si t’i miratojë këto vrasje.
Nuk di, deri
ku do shkonte zëri, nëse do thërrismin të gjithë njëherësh, si një kor
proteste, si një iso bashkimi, si një simfoni me nota të larta ku të këndohej
:NDAL!
Nëse të
gjithë nga pak, do flisnim e do të edukonim fëmijën, vëllain , motrën të
afërmin apo mikun me qetësi e vetëpërmbajtje ndoshta s’do kish kaq nëna
shamizeza.
Këtë mund ta
bëjë kushdo dhe në çdo çast,në çdo bisedë, në çdo takim miqësor.
Fjalët s’janë me pará,
andaj një këshillim, një mendim pozitiv ,një veprim human, ndoshta s’do
ndryshonte realitetin, por do ish’ si një gur sado i vogël, në themelet për një
shoqëri të qetë e të paqtë.
Une ia them vetes këto
fjalë së pari;
Thuaja dhe ti vetes!
Mjafton të
jesh vetë nënë apo prind, mjafton pak vëmendje për të parë përtej hapit tonë,
pak sensibilizim , për të mos ndodhur kështu…jo kështu!
***
Kridhem ndër
këto mendime, që mi zgjon silueta e kësaj nëne veshje zezë, e vështrimpikëlluar.
Nëna,merr pensionin,
i lë disa monedha arkëtares dhe pa ngritur vështrimin, sikur të kishte frikë të
shihte rreth e qark, mori rrugën drejt daljes.
Nuk munda të
duroj.
Dola me
shpejtësi tek dera, i hodha dorën përsëri në supet e kërrusur dyfish nga
dhimbja, i mora kokën në kraharorin tim, dhe i putha flokët.
Mu duk se
trupi i saj i ngrirë, shkriu për një çast;
Mendova dhe
besova se u ndie më mirë, paçka se ish’ vetëm një moment. U ndjeva dhe unë mire,
nga ai lot në cep të syve të saj.
Te paktën
loton…edhe kjo vlente në këtë moment.
Fola thuajse
si me vete:
“Ah, sikur të kish sa
më pak nëna zemërthyera!”
“Ah sikur…!”- përsërita me zë, teksa nëna e mpakur
u shkëput nga unë dhe vazhdoi me vështrimin ulur, të ndjekë hapat e saj të
vegjël…drejt vetmisë dhe dhimbjes.
Drita Lushi
Qershor 2013, Shqipëri.
Thursday, April 11, 2013
DUKE LEXUAR DHE DËGJUAR “ORË AKULLI” TË DEMIR GJERGJIT.
Gdhirë orëngrirë…
DUKE LEXUAR DHE DËGJUAR
“ORË AKULLI” TË DEMIR GJERGJIT
NGA DRITA LUSHI
1-GJATË LEXIMIT…
Në Orët e Akullit, njeriu ndoshta ngrin, ngrin vërtet,pushon ekzistencën, transformohet, ndalet, humb përgjithmonë,shndërrohet në materie pa frymë, dekompozohet dhe është veç eter.
Ne Orët e akullit Poeti, s’ngrin, por lind dhe rilind, me fjalën e tij,ngroh dhe ngrohet, e orët shkrijnë akullin duke vërshuar me poezi të bukura, që bëjnë ringjalljen e shpirtrave.
“Orët Akullit” për shumëkënd, janë inekzistencë, fund, por jo për Demir Gjergjin.
Brenda këtyre orëve Ai gjallon me fjalën e tij, duke na dhënë mrekullisht një libër, ku origjinaliteti dhe e veçanta pikas që në krye të herës.
Poezia e tij nuk është standarde, e rregullt si ato bankat në klasat e dikurshme, as si ato uniformat që veshin nxënësit në shkolla. Ajo është spontane, diku e lirë, diku e rregullt, për të ngritur krye, ose për tu zbutur më tutje, diku ashpërsohet, diku të bën të mendohesh, diku gjen veten, diku gjen mikun, diku shoqen.
Poezia e tij, diku është vetëtime, diku shi malli, diku pranverë brenda dimrit, diku një vjeshtë e paqtë, e diku një ngrohtësi në lulëzim.
Gjithçka gjen Brenda “Orë Akulli” të Demirit:
”Fraza të ftohta”
“Zhuljeta viktimë e…
Romeo pasion i…”
Lektori, plak i lashtë
i flashkët krejt,
heq syzet
vë syzet:
“Zhuljeta…!”
në bangën e tretë,
gjaku i Romeos ndizet
buzët e Zhuljetës digjen
Syzet:
“Jaaaaashtë!”
RomeoZhuljeta,
del,
refugjon
një tragjedi të re!
Përsëritja e një zanoreje tek e njëjta fjalë si psh : “Jaaaaashtë”,që e ndeshim edhe në poezi te tjera, të bën jo vetëm ta lexosh, por padashur e thua me zë, atë fjalë dhe mënyrë të thëni, që aq shpesh e ndeshim në fjalorin tonë thuajse të përditshëm.
Aty ndesh “Uverturë”,”Arie”, “Metamorfozë”, “Romancë në re”, “Gjysmëputhje”, qe i japin një hapësirë plot ngjyra librit.
Në të tjera poezi, vihet re një ndërtim që në dukje të jep përshtypjen e një loje me fjalët, nëse e sheh me sy të lirë:
“Me vjeshtën qesh
me heshtat hesht
ne troje resh
nis tjetër jetë
me ty që je
këtu ku s’je”
Por nëse vëmendja përqendrohet në vargje, vë re se aty, qoftë dhe në një shpalosje në dukje abstrakte, lind dhe zhvillohet metafora e kuptimtë dhe ekzistenciale e poezisë,logjika e të menduarit të stërvitet, dhe të shtyn të lexosh më tej.
Shpesh, në poezi ka antiteza, ose abstraksione të mrekullueshme, ose “ngjitje sup me sup” të fjalëve që ndjekin ose shtyjnë njëra- tjetrën për nga kuptimi.
“Ti ishe tashmë
pagëzim i dritës me ajrin
orgazma e ujit me zjarrin”
Kjo i bën më “ndjellëse” këto poezi, te cilat për hir të së vërtetës, kanë dhe një filozofi fine brenda tyre.
Skalitjet metaforike,epitetet, krahasimet e mjaft rrjedhshmëri figurative,të bëjnë ti lexosh edhe përsëdyti këto poezi:
“Ndërsa lëkura dhe petkat e mia,
mbusheshin me allçinë e bardhë
të humbjes,
drita e nginjur me jetën time
rrëzë shtatores së shtangur
ngrinte”
Në mjaft poezi, vihet re një marrie-dhënie me tabanin popullor! Diku poeti merr dhe përdor një fjalë, e diku fjala zë vend natyrshëm në qëndisjen poetike.
Duke udhëtuar ndër vargjet e Demirit, diku ndalem e pushoj, rilexoj, mendoj dhe kur arrij në“Qiejt e Mallit”shtangem të “shoh”:
“Si bluzë e zhvesh peizazhin dheu,
për mua nis e bëhet qiell
nga poshtë më sheh me tmerr Anteu,
mbi re, ylli yt më ndjell!”
Dhe s’ka si të mos “dëgjosh” fluturimin poetik tek “Janari i Mynihut”
D…ing…!
D…ing…!
D…ing…!
Thërrasin kambanat në Platz Marin.
Tani që janari ka shkrirë,
kambana e zemrës regëtin
në Platz Marin:
…Ing…!
…Ing…!
…Ing…!
I konceptuar në mënyrë krejt të veçantë, ky libër unik në llojin e vet,
“qëndron” fitimtar mbi “Shtatë mbretëri të humbura”, ku “Ëndrra”, “Udha”, “Nata”, “Vera”,nuk janë të “Huaja” në “Mbretërinë e fundit” Pastaj natyrshëm “hapen” dhe shpalosen “Shtatë portat e qiellit”, e Dritës e Zërit, e Ëndrrës, e Mungesës, e Mallit, e Parajsës dhe me anë te Portës se Ajrit, “zbresin” në “Shtatë shtatoret e shtatorit”.
Qëndroj në mozaikun poetik për të parë formëzimin dhe gdhendjen e poezive të poetit Gjergji:
“Trini e sh(tr)enjtë+ ti”
“Deti, lumi mali +Ti
Vera, vjeshta, dimri+Ti
Atëherë, sot, mot+Ti
Ik, eja rri +Ti”,
E ky mozaik, ngelet i pikturuar jo vetëm në poezitë e Demirit, por mbetet në vetëdije me anë të mendimit dhe e fotografon si në një blic të shpejtë dhe në shpirt, çdo njeri që merr në dorë librin dhe “udhëton” ndër faqet e tij.
Një mënyrë moderne e konceptimit, ndërthurjes, dhe shpalosjes së pjesëve të librit, i cili mund të lexohet, jo faqe pas faqeje por në të gjitha mënyrat dhe drejtimet.
Mjaft të hapësh librin tek përmbajtja, dhe kemi një poezi te re, të stilit ala Demir, sa çuditesh me këtë gjetje befasuese.
Shoqërimi me skica e sjell çdo poezi edhe në vështrimin tonë, përpos leximit .
Teksa i lexon, këto poezi i ndjen mjaft afër vetes, për nga përmbajtja dhe mënyra e të shkruari. Ato janë larg frazave të pakuptimta dhe gjetjeve artificiale.
Libri “Orë Akulli” ka poezi qe do të dëshironim t’i lexonim në një çast pushimi, çlodhjeje, dhe ç’është më e bukura, të bëjnë t’i lexosh me zë!
2- GJATË DËGJIMIT…
CD-ja bashkëngjitur në fund të librit, të bën jo vetëm ta ndjesh dhe ta dëgjosh, por ajo bëhet e prekshme nga ne.
Zërat e vetë autorit dhe gazetares Kozeta Hoxha, që përcjellin vargjet në timpanin tonë, janë jo vetëm emocionues, por depërtues, ndjenjësorë e të ëmbël dhe u japin një formë tjetër madhështore atyre ndryshe nga ajo e të lexuarit.
Me CD-në, e “merr” poezinë me vete, nuk e lë asnjë minutë të “flejë” në faqe libri, por bisedon me të, i qesh dhe të buzëqesh, të jep zë dhe jetë, gjatë rrugëtimit tënd të përditshëm
3- GJATË LEXIMIT DHE DËGJIMIT TË … “ORË AKULLI”:
Ndien diellin poetik, t’i shkrijë ato (orëakujt) e një lumë vargjesh të lira, pa korniza, pa konture, pa gardhe dyshimesh e censurimi të shpirtit të poetit, dhe ndjen të mbushet deti i dëshires së lexuesit, i cili do pikërisht këtë liri vargu, ku horizonti është nga infiniti deri në infinit!
Drita Lushi
5 Prill 2013
Subscribe to:
Posts (Atom)





