DRITA LUSHI
BIJES SIME
(Ne dhjetevjetorin e lindjes)
-Skice-
Para një dekade unë RILINDA për TY, e shtrenjta ime. Ishte dekada e tretë e viteve të mija, kur erëmirën time e mëkova me qumësht gjiri, me dashurinë që vetëm nena di t’i falë femijës së vet. E lumturia rrodhi ndër deje furishëm, si një det me valë, që rendin drejt bregut të dashuruara. Ishte një ditë e nxehtë korriku, por freskia ishe ti, Bijëzo, ishe flladi, puhiza njomëzake, ishe ajri im i freskët pas një vape perveluese nëpër kalvarin e viteve, kur TI ishe vetëm në mendimet, dëshiren dhe shpirtin tim. Ajri të përkëdheli kaçurrelat e zeza, që rrethonin fytyrën e bukur prej princeshe të vogël, e ne në çast u morëm vesh pa fjalë, në një heshtje simbiotike shpirtrash, që është po aq e fuqishme dhe sot, kur ti do të lesh dekaden e parë te viteve të tua.
Janë vite që ikin pa na lajmruar, fluturojnë pa zhurmë e bujë, por në secilin prej tyre ti ke lënë gjurmët e tua të bukura!
U bëra oksigjeni yt, e ti frymëmarrja ime.
Kurse sot je një zonjushëz e bukur. Flokët derdhen e freskojnë supet e tu të brishtë. Buzëqeshja jote ndriçon gjithçka, por mbi të gjitha shpirtin tim. Je në pragvitet ne mes fëmijërisë dhe rinisë.
Ia vlen të ndalemi, e shtrenjta ime. Përqafuar të shohim vitet e shkuara, por vetem një minut, vetëm një çast.
Veshtrimi yt duhet të shohë vetëm drejt të ardhmes, bijëzo.
E ditet tuaja, si lumenj gëzimi, do rrjedhin vrullshëm dhe shëndetshëm. Janë lumenj ku dua të lundroj bashke me ty, paqësisht e butë, ashtu si shikimi yt ledhatar prej drenushëze të bukur!
Viteve që të presin t’u veshësh buzëqeshje gëzimi, e ata do të të falin mijëra e mijëra ditë lumturie.
Do jem krah teje, bijëzo, pa u trembur nga erërat
që mund të na fryjnë kundër.
Marrsh lumturinë, bukurinë, mirësinë dhe bardhësine e engjëjve, engjëllorja ime e shtrenjtë!
No comments:
Post a Comment