Monday, April 8, 2013


SHËN VALENTINI DHE SHQIPTARËT
-Këndvështrim-
NGA DRITA LUSHI
Shën Valentini është një festë që i përket të dashuruarve, e si e tillë, festohet në çift, nën dritën e një qiriu, në një bar a restorant me muzikë romantike, nën shikimin, frymën dhe zërin e njeriut që dashuron.
Dhuratat bëhen  sipas dëshirës, e sipas “xhepit” të gjithësecilit, mjafton mendimi, por s’ka fare rëndësi vlera dhe madhësia e saj.
Edhe një buqetë lulesh është mëse e pranueshme dhe e bukur, madje personalisht, do ta vlerësoja më shumë se çdo dhuratë tjetër.


Pra, është një festë intime.
Tek ne, veç çifteve të rinj, të sapofejuar ose atyre që janë në hapat e dashurisë, e që vertet e kalojne festën në intimitetin e sho-shoqit, të tjerët mezi presin një festë( të jetë, ç’të jetë), mjafton  një shkak për të festuar, për të kërcyer, për të gëzuar, për të drekuar.
Humbet kështu, koncepti i festës dhe shohim që ajo kthehet në një festë mbarëpopullore, si të ishte festa e Pavarësisë, e Çlirimit të vendit, apo e Ndërrimit të viteve.
E kështu, sheh grupe njerëzish në lokale duke ngrënë e kërcyer, a thua se të gjithë paskan pritur këte ditë për një pjatë më shumë, apo për një  ritëm muzike në mesjavë.
Mënyra se si e festojnë shqiptarët këtë festë dhe kur i sheh kaq të ngazëllyer pas një gote verë që pijnë, vetvetiu të lind pyejtja:
Sa të dashuruar janë shqiptarët?
Kjo është një pyetje që mund t’ia bëje çdokush vetes, jo vetëm në një ditë si kjo, por në çdo ditë të jetës së tij  bashkëshortore.
Akoma më mirë, do ish’ që ta pyesnin veten përpara se të vendosnin për të  jetuar në çift.
Sëpse ndarja ose divorci ka kosto jo vetëm materiale, por mbi të gjitha, psikologjike, morale, shoqërore dhe familjare.
E të mendosh, që shumica e njerëzve krijojne familje jo nga dashuria, por si kompromise të domosdoshme, për të arritur qëllime të caktuara shoqërore .
Por harrojne se një familje s’është kompromis!
Aq më shumë, s’mund të jetë kurrë, dashuria kompromis!
Mendoj se shumica, madje nuk e dinë se çfarë është dashuria.
Shumë shpejt, vetëm nga tërheqje të çastit kalohet në martesë, ku pas një ose dy vjetësh shihet qe kjo(martesa) është një dështim i vërtetë.
Të dy bashkëshortët shohin që s’i lidh asgjë, e as që përputhen në mendime dhe ndjenja.
E pra, edhe ajo “flakë”- që nxehte aq shumë, tashmë e ka mbuluar hiri, e mbi të bie dhe bloza e keqkuptimeve, e sherreve për gjërat më  të vogla, që mund të degradojë dhe me keq në urrejtje.
Një  vendim i nxituar, një fundkeq i garantuar.
Atëherë, çfarë festojnë kështu shumë nga shqiptarët, në katërmbëdhjetë shkurt?

Absolutisht nuk dua të bëj përgjithësime, e as që e mendoj të jem skeptike ndaj ndjenjës më njerëzore DASHURISË, por realiteti dhe ato që çdo ditë shohim dhe dëgjojmë më japin të drejtën të them se festojnë pasigurinë, sepse e kanë vështirë të pranojnë që dashuria e tyre është një farsë, një gënjeshtër, e ata mundohen që një ditë në vit (14 shkurt) ta gëlltisin  poshtë me një gotë verë, e mendja e tyre të harrohet nga ajo çka i mundon në të vërtetë gjithë vitin.
Ditët e tjera e kapërdijnë me ushqim  e me një gotë ujë, e darkave bien   të flenë në  shtretër hipokrizishë.
“Dashuritë  e mëdha, nuk veshin fustane nusërie” – kam lexuar diku.
Atëherë,  si mund të veshin dashuritë e rreme të tilla fustane?
Aq të etur janë disa shqiptarë, për një kostum dhëndërrie, për një fustan nusërie, e për të djegur një shami beqarie?
Për ku nxitojnë vallë kaq shumë?
Per të takuar dashurinë?!
Jo, çdo ndjenjë është dashuri!
Koncepti i saj  është mjaft i gjerë dhe fisnik.
Nuk mund të quhet dashuri, seksi dhe tërheqja biologjike .
Kur të vendosni për martesë o “të dashuruar” pyeteni veten:
Çfarë  i pëlqej unë, kësaj apo këtij?
Vetëm sytë e bukur, linjat, lëkurën, buzët...?
Pas pesë vjetësh ndoshta s’do ti shihni më këto tipare.
Atëherë çdo të ndodhë?!
Sigurisht, që asnjëri nuk di me saktësi se çfarë, por që të ndodhte më e mira nëse do shihnim tek partneri në rradhë të parë ato tipare dhe cilësi që s’duken sheshit (si bukuria fizike etj.), por ato karakteristika, sjelljeje, vetëpërmbajtje, përkushtimi, njerzillëku dhe mirësie, të cilat do të na bënin ta donim dhe respektonim në çdo kohë partener/in/en edhe pas dy tre dekadave, pse jo, edhe deri në fund të jetës.
Atëherë, nëse e përditëshmja juaj ju bën të harroni se çfarë  situate po jetoni, nëse ju ka përfshirë monotonia e punët që s’mbarojnë kurrë, nëse hallet dhe nevojat e përditëshme, s’ju lënë hapësirën e domosdoshme për të parë raportin tuaj bashkëshortor apo lidhjen tuaj dashurore, ështe koha dhe dita të pyesni veten:
A jam vërtet  i/e dashuruar me partner/en/in  tim/e  dhe pas kaq vitesh?
Ndoshta kjo, do ju bëjë që të kujtoni se nuk i keni kushtuar njëri –tjetrit kohën e nevojshme e vëmendjen e duhur, kjo mund të jetë një këmbanë rikujtimi që përsëri  jeni në kohë të rregulloni ato çka i keni lënë mangut njëri- tjetrit, sëpse e përditëshmja është po ajo gllabëruesja e kohës sonë, që na humbet vëmendjen për gjëra  më të rëndësishme.
Ndërsa ata, që  janë në fillimlidhje  dashurie, mund    masin me kut logjik hapat e hedhur e nëse, lidhja nuk shkon siç duhet edhe mund të mos ndërmarrin hapa të mëtejshëm.
Shën Valentini është festa e të dashuruarve, jo e gjojatëdashuruarve.
Ndryshimi në të shkrojtur është një fjalë (goje), por në realitet është një jetë e tërë! Po e përsëris : NJË JETË E TËRË!
Prandaj sot, pyeteni veten : A dashuroj vërtet?


No comments:

Post a Comment