DRITA LUSHI
AH SIKUR…!
-GENJESHTRA-
Skicë-esé
Nga Drita Lushi
Na gënjejnë qysh në lindje.
Me një biberon gënjeshtër (rrens), mamatë na “mashtrojnë”,e na bëjnë të besojmë se kemi gjirin e tyre në gojë.
E ne, as motakë, në abc-në e vetëdijes sonë hapvogël themi :
“Ah sikur!”
“Sikur të kishte qumësht, ky “gji”, atëherë do të ishim më mirë, sa të qetë do flinim!”
E këtë, e themi me sytë, qe ia ngulim mamave tona, të cilat mendojnë se nuk kuptojmë, e vazhdojnë punën të qeta.
Ndonjëherë zemërohemi aq shumë, sa qajmë.
Kjo, është protesta jonë e vetme ndaj “gënjeshtrës” që na bëjnë, sapo lindim.
Po edhe ne gjithashtu, gënjejmë fëmijët tanë. Po, po, i gënjejmë në të njëjtën mënyrë.
Një “gënjeshtër” që na e mësuan të tjerët qysh në lindje, e zbatojmë edhe ne, jo pa kuptuar, por me vetëdije.
Nis kështu “riciklimi” i gënjeshtrës, dhe trashëgimi i saj.
Ne një moshë pak më të madhe, kur i pyesim mamatë tona se, si lindëm , asnjëherë nuk na kanë treguar te vërtetën.
Por ndonjëherë, edhe kur u themi të vërtetën, fëmijët s’besojnë.
Pasi i thashë vajzës sime, që e kisha lindur me operacion, filloi dyshimi i saj, se mos ndoshta, ish’ e birësuar, për faktin se është e vetme.
Disa gënjeshtra, i marrim për të vërteta, e disa të vërteta i marrim si gënjeshtra.
Natyra e njeriut, është sa e komplikuar aq edhe e pafajshme.
Ndonjëherë na pëlqen të na gënjejnë.
Ndonjëherë, na gënjejnë, dhe ne, bëjmë sikur besojmë.
Ndonjëherë na gënjejnë dhe s’e kuptojmë kurrë, gjithë jetën
Na kanë gënjyer edhe në shkollë.
Na kanë gënjyer librat, kur shkruanin, se ishim vendi më i lumtur dhe i lirë në botë, paçka se i binim derës së komshiut në fund të pesëmbëdhjetëditëshit, për huanë e zakonshme.
E ne, i gëzoheshim të lumtur kësaj “mrekullie” që natyra ia kishte dhënë vetëm vendit tonë të bekuar.
(Oh, ç’gënjeshtër e bukur!Të mundësh të jetosh e mbijetosh nga një mashtrim!)
E na dhimbsej bota e “shkretë” e njerëzit e saj të uritur e të varfër!
Në njëfarë mënyrë na gënjyen edhe mësuesit qe na i spjeguan këto libra.
Mësuam të gënjejmë, për mësimet, për notat e për ndonjë gjë të vogël.
Gënjyem dhe kur dolëm me ndonjë djalë, deri në ditën që ai, u bë dhëndërr shtëpie.
Po Sot?
Gënjeshtrat sot, janë kthyer në murlan që fryn nga të katër anët.
E ne, të çoroditur mundohemi të mbrohemi, të strukemi,e herë-herë të vëmë në punë imunitetin që organizmi ynë ka mundur të fitojë nga përballja, me thurje e ndërthurje, kompozim e dekompozim të viteve të gënjeshtërt e gënjeshtrat e sa e sa viteve.
Sot gënjeshtra, ështe modernizuar.
Gënjeshtrat, veshin fustanet e shekullit të njëzet e një, minifunde të blera on line.
Gënjeshtrat ecin me vetura të shtrenjta, jetojnë në apartamentpallate.
Gënjeshtrat s’dalin lakuriq, nuk prostituojnë.
Ato kanë pronar/e që i mbajnë fort, me fanatizëm e xhelozi.
Gati-gati, të vjen t’a kesh “zili” gënjeshtrën.
E ç’bejmë ne, kur kjo lartohet kaq bukur e hijshëm para syve tanë?
Nisim edhe ne, të gënjejmë veten.
A nuk është gënjeshtër ndaj vetes, kur s’duam të pranojmë diçka që ndodh konkretisht,por “ënderrojmë” mënyrën që do të donim ne?
A nuk genjejme veten,kur nuk arrijmë dot atë që duam, kur nuk arrijmë synimin, postin, njeriun që pëlqejmë, mirëqenien, paratë, kur s’mundemi t’i blejmë fëmijës atë që do?
Ne keto raste, ndërgjegjia dhe vetëdija naivizohen me dashje prej nesh, per t’ia lënë vendin fantazisë së gënjeshtert, që ne të mos ndiejme shumë zhgënjimin e mos arritjes së qëllimeve tona.
Në çastin që fillojmë të gënjejmë veten, e i shohim ndodhitë, njerëzit, me syrin që do na pëlqente, tashmë, megjithese të rritur, ashtu sikurse motakë përsëri themi:
“Ah, Sikur!”
E thirrja dëshirore, vihet në punë me nxitim, larg vetëdijes që s’do të na lejonte të pranomin gënjeshtrën si trampolinë, për të arritur atë që do të donim.
“Ah, sikur!”- themi në a-b-c-në tonë motake.
“Ah, sikur!”- themi ne y-z-zh-në tonë maturë.
E pavarësisht se na gënjejnë e gënjejmë, pavarësisht nga timbrimi i bukur në të shqiptuar i “ah, sikur!”, gënjeshtra më e keqe është ajo ndaj vetes.
Zgjidhja më e mirë është ndarja me të, për të mos qenë të droguarit-vartës të saj.
Të jesh i lirë, e të shohësh me sy hapur, nuk është dhe aq e vështirë, paçka se mund të jetë dhe e dhimbëshme, paçka se diku mund të ketë shumë diell, e diku shumë shi…
“Ah, sikur!”…të mos kishte lindur kurrë gënjeshtra!
No comments:
Post a Comment