Thursday, April 11, 2013

KUR MARTESA MBUSH 17 (shtatëmbëdhjetë)


DRITA LUSHI







KUR MARTESA MBUSH 17 (shtatëmbëdhjetë)



                      -skice- 


Nuk kishte shumë që bashkeshorti im kishte dalë për në punë, kur ra dera. Ngrihem dhe e hap. Ishte një grua që e njihja si fytyrë, por s’po më kujtohej ku e kisha parë. Nuk pata kohë të mendoja gjatë, sepse mendjen dhe sytë e mi i tërhoqën trëndafilat që ajo mbante në dorë dhe buzëqeshja e saj e çiltër.
- Janë për Ju - tha ajo gati me zë të lartë dhe buzëqeshja iu bë më e plotë. Vetëm at’herë u kujtova që ishte ajo ku kisha blerë lulet për vajzën, kur filloi shkollën.
- Gëzuar përvjetorin e martesës - më tha, dhe m’i lëshoi trëndafilat në dorë. Ishin plot aromë. Dukej që ishin trëndafila të këputur në kopsht, jo nga ata që shiten rëndom pa aromë, e që të vërbojnë me ngjyrën e tyre artificiale. E falenderova, i buzëqesha me gjithë zemër, jo thjeshtë për mirësjellje, por sepse ngjyra e trëndafilave që mbaja në dorë, aroma e tyre aq e këndëshme, më dukej sikur më kishin mbjellë në fytyrë, sy dhe shpirt një bardhësi, që i jepte buzëqeshjes një ndriçim gjithë jetë.
U ktheva brënda me ngjyra….. Ishte një buqetë e bukur aromëngjyrëshe, që më bëri të mendoja se dita sot kishte lindur me më shumë oksigjen dhe ajri ishte më i pastër.
Vajza më doli përpara dhe më tha:
- Ua, mami, sa të bukura! Më përqafoi dhe më tha: Gëzuar shtatëmbëdhjetë vjet martesë, mami. Babi të paska sjellë trëndafila shumë të bukur. Ndërsa unë po gjeja një vazo për të vënë buqetën, Jenla mori zarfin në mes trëndafilave dhe lexoi:
“Per shtatëmbëdhjetëvjetorin tonë, shtatëmbëdhjetë trëndafila të kuq dhe të bardhë, ashtu si ngjyrat e viteve dhe stinëve që kemi kaluar bashkë! Ju përqafoj sot dhe çdo ditë, princeshat e mia të dashura”.
U emocionova jo vetëm nga teksti që bashkeshorti im kishte shkruar, por edhe nga leximi që i bëri ime bijë, gjithë emocion. Nuk di pse edhe ajo sot më dukej ndryshe: Më e lumtur, më e gezuar, më e qeshur!
Më dukej se edhe ajo mbante diçka brenda vetes dhe nuk dinte si ta thoshte. Pasi rregulluam lulet në vazo, e mora dhe u ulëm të dyja me duart të kapura me njëra tjetrën. Tashmë dhjetëveçare, ajo kishte më shumë pyejtje, por dhe kuptonte më shumë.
“Mami, si jeni martuar ti dhe babi? – më pyeti ajo. Shpeshherë më kishte pyetur si ishim njohur, si kishte lindur ajo, por këte pyejtje s’ma kishte bërë kurrë, madje as kur kishte parë fotot e mia me fustan nusërie.
Ia shpjegova shkurt, që unë një ditë isha veshur me fustan të bardhë, dhe babi i saj, si një princ, kishte ardhur nga Erseka dhe më kishte marrë.
“Po pastaj ?- pyeti përsëriajo.
“Pastaj, bija ime – vazhdova duke parë trëndafilat… - ja, shihi këta trëndafila të bardhë dhe të kuq”. Ajo ndërhyri rishtas: “Përse janë shtatë të kuq dhe dhjetë të bardhë, o ma”?
“Shtatë të kuq janë vitet që unë dhe babi yt të kërkonim ty nëpër ëndërra, nëpër stinë dhe ditëve tona. Ndërsa dhjetë të bardhë janë vitet kur ti erdhe mes nesh dhe që atëherë vetëm bardhësia, paqja dhe mirësia na kanë shoqëruar stinët e ditët tona. Ti je trëndafili më i bukur i kësaj buqete, bija ime.
 Në shatëmbëdhjetë vjet ne mbollëm dhe lindëm një filiz të bukur si TI, e shtrenjta ime”.
Ajo më përqafoi dhe dukej që ishte prekur.
U ngrita të hapja dritaren. Po i çel portën vitit të tetëmbëdhjetë të jetës bashkëshortore dhe bashkë me të shoh vitet e ardhme të sime bijë.
“Një vjeshtë si pranverë” – mendova kur ajri me përkedheli fytyrën.


1.10.2012.

No comments:

Post a Comment