“Ndodh
rrallë të shihemi në sy të heshtur,
Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.
Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.”
KUR POEZIA I NGRE HYMN VETES.
Mendime mbi krijimtarinë poetike të
Sokrat Habilajt.
Për sa kohë poeti shkruan dhe
e mban poezinë për vete, ajo është e tij; E ai, e lexon, e rilexon, i lëmon
vargjet… por, kur vendos t’ia paraqesë lexuesit, ajo s’i përket më atij.
Poeti mbahet mend si ati i
poezisë, ndërsa bija e tij, tashmë lindur në vargje, ngjall adhurim tek lexuesi
i cili e lexon e stërlexon, dhe e do.
Kështu poeti,mund të kthehet
në një “hero” popullor edhe me vargun e tij.
Kjo më shkon në mendje, tek lexoj poezitë e
Sokrat Habilajt. Lirikat e tij, në dukje tingëllojnë të thjeshta por mjaft të këndshme,
kanë rimim e muzikalitet spontan që të bën
për vete, të tërheqin, përpihen me një frymë, e ndonjëherë të lënë pa fjalë për
gjetjet e veçanta që ai përdor e që s’janë të rastësishme, por rrjedhojë e një
pene dhe mendje të stërvitur, e talenti të konsoliduar ndër vite.
Shprehje dhe gjetje nga më
interesantet, të bëjnë ta lexosh me dëshire, e të jesh kurioz/e se cili do
t’jetë figuracioni i spikatur i rradhës;
Ecën pa kuptuar mes gjetjeve poetike të Habilajt e teksa lexon
rresht pas rreshti ,diku sheh “hënën
mbi ullishte që zbret në flokët e saj”,
diku ndjen “çuçuritjen e fjalëve të ëmbla”, e pastaj ndihesh pjesë e tablove
poetike, kur poeti i thotë “asaj”, “Ik, kur nata të më ikë nga sytë”,apo:
“bëhesh hënë e më merr në gji”, edhe
kur “tradhëtitë
e mia kanë emrin tënd” apo kur tregon se:”Dikë s’e merr gjumi pa ndjerë
frymën time në flokët e saj”, ose “dikush i besoi gjumin”, apo, gara
me “atë” është më shumë se puthje, etj etj.
Ai luan me fjalën, me rimën,
me vargun, por gjithmonë, në funksion të poezisë , përmbajtjes dhe asaj ç’ka kërkon të përçojë tek lexuesi.
Është evidente që një pjesë
e madhe lexuesish gjejnë veten tek poezitë e tij,e ky është një sukses i
padiskutueshëm i poetit.
Ai ka aftësinë si rrallë
kush, të shndërrojë ngacminin e tij poetik në hymne për mjaft njerëz.
Poezitë e tij s’janë të rënduara
në metafora e abstraksione poetike që do të duhej një rilexim për ti kuptuar;
Rileximi ndodh për kënaqësi,
e kjo është gjë e bukur.
Poezitë e Habilajt janë si stinë të një viti, ku gjen të gjitha
gjendjet brenda tyre;
Një çast shkrepëtime poetike
në qiellin e poetit, arrin të lindë mrekullira që i rezistojnë viteve dhe kohës.Habilaj,
i shkruan dashurisë, mallit, lotit trishtimit, harrresës, pritjes, gjendje këto
që i ka çdo njeri në jetën e përditëshme,por ai arrin ti përgjithsojë.
“Të kisha
thënë se loti që rrjedh në faqe,
Është shpirt
i vrarë që humbet për pak çaste”
-shkruan ai në poezinë :”Të
kisha thënë për lotin”,titull të
cilin mban dhe vëllimi i tij poetik.
Një mendje e hollë, formuar
nga ndjesi dhe perceptime njerëzore arrin ti sintetizoje ato, duke i mbjellë në zemrat
e qindra njerëzve, edhe pa qenë nevoja për trumbeta, pa zhurmë, sepse poezia e
tij është aq e bukur, sa e gjen vetë lexuesin.
Meritë e autorit
është, që ai arrin të futet në skutat e
ndjesive të njerëzve pa dallim moshe, apo gjinie. Kësaj, pak autorë ia arrijnë.
Nga ana tjeter,të shkruash
me rimë nuk ështe aq e thjeshtë sa duket, dhe aq lehtë sa thuhet.
Përpos rimës ne lexojmë mbi
të gjitha art, sepse poezitë e tij nuk rendin të gjejnë fjalën për një gërmëzim
e tingull të ngjashëm fundor, por fjala lidhet me fjalën ndjenjësisht e
simbolikisht, duke pasur një pranverë poetike në lulëzim, të cilës ne duam ti
marrim rrezet që lëshon.
Krysisht tema që ndeshim
më shpesh,është ajo e dashurisë, në kompleksitetin më të gjerë, si koncept dhe
si ndjenjë.
Por ai nuk është i
parcelizuar ose linear në krijimtarinë e tij;
Keshtu psh.vargjet e
Atdheut janë mjaft të spikatura në penën e Habilajt.Ato janë me patos, të përcjellin
emocion e ndihesh krenar për mëmëdhesinë tënde.
Do të mbetet perlë
në krijimtarinë e tij(dhe jo vetëm!)poezia për Atdheun ku ndër të tjera
shkruan:
“Ma shanë atdheun
buzë detit Egje.
Si m'u mbyll goja e
nuk volla mallkime!?
Po për kë t'i
shaja!? Ata s'kishin atdhe...
Ma shanë atdheun, në
gjuhën time”
Ne poezinë tjetër, po me
temë Atdheun, ai shkruan :
Kujt ia latë Atdheun
ju që ikët larg,
Ndërsa luteni:-Veç
të vdesim atje!
Po Atdheu nuk është
thjesht një shtrat,
Ku mund të prehesh,
para ikjes nën dhè!
Në poezitë e Habilajt,shpesh
gjejmë dy personazhe-le të themi, të cilët janë, djali dhe vajza, të
simbolizuar në përemrat “unë” dhe “ajo”, ose “unë dhe “ti”, por mund të jenë nëna,
fëmijët miqtë, vëllezërit etj.Gjithsesi ai arrin, që në dy tre strofa, apo diku
më shume apo më pak, të na japë të plotë një tablo ku fundi është një
precipitim me shumë vlerë në tërësinë e poezisë duke përcjellë emocione të mëdha
te lexuesi, siç ndodh në këtë dyvargësh
“…Nëse nuk sjellë
gaz në zemrën time,
Eja zbukurom gjithë
dhimbjet e tjera…”
…duke
portretizuar kështu imazhin e femrës me mirësi dhe dashuri, si një bekim në jetën
e një mashkulli.
Poeti shpesh i trajton si
lojëra lirikat e tij,e shpesh gjatë leximit buzëqesh natyrshëm…
Në “Grimca dashurie”,ai shkruan:
…..
“Ndoshta ato grimca,
i kthen në grua,
Ndoshta dhe e fton,
të pini bashkë çaj.
Që në sytë e saj, të
më gjesh mua,
E të hakërrohesh, të
më bësh me faj.”
Tek lexon në mënyre të
njëpasnjëshme poezitë e Habilajt, kupton që ai,shkruan me zemër në dorë, me shumë
ndjenjë, e kjo ndodh thuajse në çdo poezi të tij; jo vetëm në ato të dashurisë,
por edhe në ato me temë familjare e ndërnjerëzore.
“Tek varri babait”, ai
shkruan:
“Mbi fijet e barit,
njomur me vesë,
Ndjej në çast të më
djegin lotët në sy.
Hapat nis i hedh një
nga një me kujdes,
Nga ndrojtja se mos
të zgjoj, padashur ty”
Simbolet dhe epitetet,
krahasimet, shprehjet e figurshme dhe personifikimet, janë si fill që ndërlidhin
të gjitha poezitë e ti.Shpesh personazhi ështe femra, por edhe nëna e himnizuar
në poezi,”miku” që s’duhet ti besosh…etj
Në poezinë :”Post
mortum” kushtuar nënës se tij ai shkruan:
“S’di pse më vjen të
shkallmoj rrasën në çast.
Po ti e dashur ku
je? E pra fol, ku je?!
“Shëëëët...!”,-
pëshpëritë ti një motiv të lashtë:
“Unë jam brenda teje
edhe nën dhè”!
Ne poezitë e Sokratit,
shpesh trajtohen probleme të shoqërisë së sotme shqiptare;
Natyrisht ato nuk
paraqiten shabllon, por në trajten e një fabule tërheqëse e muzikale, të veshur
bukur që të shtyjnë ti shohësh dhe jo vetëm.
Poeti është elegant dhe i
kujdesshëm me vargun e tij edhe kur trajton probleme shqetësuese për shoqërinë,
pa kaluar në mllefe që s’kanë asgjë të përbashkët me poezinë.
Ne poezinë:”Epitaf për stacionin e trenit” ai shkruan:
“E prishën
këtu dhe të vetmin stacion,
Dhe sirenat i
mbytën bashkë me të.
Ata që e
prishën, ikin me avion,
Të tjerët
s’kanë ku shkojnë, s’u duhet më”
Ndërsa në poezinë : “Ky
është im bir”, shohim një rrëfim poetik të marrdhënieve at-fëmijë që të
emocionon shumë, për mënyrën si i tregon në vargje, të gjitha ato detaje që në
fund të fundit, përbëjnë përditshmërinë e një familje.
“Biri im
është, unë me emër tjetër,
Ai që qeshë e
qanë vet i dytë.
Ai që dhe në
faj, shton gaz më tepër,
Më ofron
veshin, unë i puth sytë.”
Apo në poezinë “Per ty”: ai i këndon kështu të dashurës dhe nënës së fëmijëve të
tij, duke na përcjellë emocione të një jete me dashuri dhe të plotësuar:
“Tridhjetë
vjet pas, tre burra dhe ajo grua,
Dy dalë prej
ëndrrës, një nga shpirti i saj.
Vazhdon më
pëshpëritë: Të dua… të dua!
Thoni…prozaike,
veç mos më bëni me faj”
Poezitë e Habilajt arrijnë
të prekin me fjalë të paarritshem, atë që njerzit mendojnë e ndiejnë, që shpesh
ngelen të pa thëna, ndoshta se s’mund të gjejnë fjalën apo shprehjen e duhur.
Krijimtaria e tij është
mjaft e gjerë( jo vetëm në poezi). Për çdo poezi mund të shkruhej më vete,e jo për
qindra poezi të përmbledhura në libër, dhe atyre që presin të bashkohen në një
vëllim të ri;
Mbi të gjitha, ato shkruhen në “faqet” e mendjes së lexuesit.
Sokrat Habilajn (duke
lexuar tërë krijimtarinë e tij) mund ta quajmë poet i shpirtit të njerëzve.Nuk
ka lexues që të mos gjejë pak apo shumë nga vetja, në poezitë e tij.
Shpesh,teksa poezitë të përcjellin emocion, ndjen që s’ka
vend për shumë komente apo fjalë. Gjerat e bukura më shumë i ndjen se sa mund të
flasësh për to, ndoshta se s’mund të gjendet fjala e duhur për të thënë atë ç’ka
ndjen pas leximit të një poezie të bukur…
E shpesh, natyrshëm veç
thua: “Sa bukur! Uaaaa, sa bukur!”
Sokrat Habilaj prej kohësh
ka identitetin e vet te spikatur poetik;kjo
do te thotë që nëse lexon një poezi e kupton se kujt autori i përket, për nga
stili, forma, përmbajtja dhe ajo që tejçon tek ne.
E ndërsa lexoj
krijimtarinë e tij poetike, me shtrirje, frymëmarrje, ndjenjë, bukuri
mendoj me vete: “Përse të
mos marrim si “etalon” poetë të tillë shqiptarë, kur bëjmë krahasime për
poetet e rinj në krijimtari?”
Dhe së
fundmi, krijimtarinë e Habilajt do ta konsideroja si një mozaik të bukur në gdhëndje, pjesën më suprizë,
të të cilit s’e kemi parë dhe lexuar akoma.
Drita LUSHI
Autore
Shkurt 2014